Greqia përkrah Turqisë, Micotakis: Greqia po mobilizon burimet e saj për ndihmë

06/02/2023 11:04

Në një mesazh në llogarinë e tij në Twitter kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka theksuar se Greqia ndodhet në krah të Turqisë dhe Sirisë pas katastrofës biblike dhe qindra viktimave që ka shkaktuar tërmeti i fuqishëm në këto dy shtete.

Në postimin e tij, nga të parët e udhëheqësve të huaj që kanë shprehur mbështetjen e tyre ndaj dy vendeve , Mitsotakis shkruan:

“I trishtuar thellësisht nga fatkeqësia shkatërruese e tërmetit në Turqi dhe Siri. Ngushëllimet tona të përzemërta shkojnë për familjet e viktimave dhe mendimet tona janë me të gjithë njerëzit që janë prekur. Greqia po mobilizon burimet e saj dhe do të ndihmojë menjëherë”, tha ai.

Pavarësisht se ndodhen në një nga periudhat më të tensionuara midis tyre, Greqia dhe Turqia kanë ndihmuar shpeshherë njëra tjetrën në rastet e fatkeqësive të mëdha natyrore.

Edhe në këtë rast Greqia fillimisht ka deklaruar se dërgon një ekip të ndihmës të zjarrfikësve elitë të grupit EMAK , të specializuar për katastrofat natyrore dhe tërmetet, i cili do të mbërrijë në zonat e prekura me një avion C-130, pas komunikimit që ka pasur ministri grek i Mbrojtjes Civile Christos Stylanidis me homologun e tij në Turqi, qysh në orët e para të mëngjesit.

Bëhet fjalë për një ekip shpëtimi prej 25 personash me pajisje speciale që do të marrë pjesë në kërkimet për të mbijetuar në rrënojat e ndërtesave të shembura pas tërmetit shkatërrues në Turqi. Është i njëjti grup që kishte mbërritur në Shqipëri pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019 dhe që ka operuar në zonën e Durrësit.

Edhe pas tërmetit katastrofik të 17 gushtit të vitit 1999 , me mbi 17000 viktima në Stamboll, Greqia ka ndihmuar Turqinë ,megjithëse ndodheshin pas krizës së madhe ushtarake të tragjedisë në ishullin Imia, kur humbën jetën 3 oficerë grekë, gjatë një incidenti ushtarak që për pak sa nuk u bë shkak për fillimin e luftës mes tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA