“Katastrofa më e madhe e një shekulli” e përshkroi presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tërmetin e sotëm që tronditi vendin e tij dhe Sirinë fqinj, duke shkaktuar me qindra të vdekur e mijëra të plagosur, e duke lënë pas pamje apokaliptike shkatërrimi.
Ky mendohet të jetë tërmeti më i fuqishëm në Turqi që nga ai i vitit 1939 që bëri 30 mijë viktima. Shtatë tërmete të magnitudës 7 ose pak më lart se kaq e kanë prekur vendin gjatë 25 viteve të fundit, por ky i sotmi ishte më i egri nga të gjithë.
Kreu i shtetit turk sqaroi se i gjithë shteti është ngritur në këmbë, ndërsa Turqisë i është ofruar ndihmë nga 45 vende të tjera.
“I kemi dhënë përparësi absolute operacioneve të kërkim-shpëtimit. Një personel prej 9000 vetësh është angazhuar për këtë qëllim, e po shtohet edhe numri i punonjësve të ndërhyrjes së shpejtë që po mbërrijnë nga jashtë në zonat e prekura. Kemi vendosur menjëherë kontakte edhe për ndihmën ndërkombëtare. Përpos NATO-s e BE-së, kemi nga 45 vende ofertë për asistencë”, tha Erdogan.
Shtëpia e Bardhë ofroi menjëherë ndihmë pas tërmetit të mëngjesit, përmes këshilltarit të sigurisë kombëtare, Jake Sullivan që i përcolli palës turke të gjithë gatishmërinë e SHBA-së për t’iu gjendur në krah vendit në këto momente të vështira.
Mesazhe solidariteti e mbështetje dhe oferta për ndihmë mbërritën dhe nga shefi i politikës së jashtme të BE-së, Jospeh Borell, i cili tha se “mendimet e tyre janë tani me popullin turk e atë sirian”.
Izraeli gjithashtu ishte ndër të parët vende që u nxitoi të ofronte asistencë për autoritetet turke. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Joav Galant menjëherë udhëzoi ushtrinë të bëjë përgatitjet e duhura.
Sot, Rusia e Ukraina e kanë harruar për pak kohë konfliktin e tyre, duke u fokusuar tek fatkeqësia që pllakosi Turqinë. Moska njoftoi se dy avionë IL-76 dhe 100 pjesëtarë të ekipeve të shpëtimit janë të gatshëm të shkojnë në Turqi nëse është e nevojshme, e Vladimir Putin u ka dërguar mesazhe liderëve në Turqi dhe Siri, duke u ofruar ndihmë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjithashtu deklaroi: “Në këtë moment ne jemi afër me popullin mik të Turqisë dhe të gatshëm të ofrojmë ndihmën e nevojshme.”
Ndihmë me ekipe të zjarrfikësve dhe qen shpëtimi premtoi dhe Polonia e India.
Top Channel