Një grup i serbëve lokalë në fshatin Dren, Komuna e Leposaviqit në veri të Kosovës, protestoi të premten për të tretën ditë me radhë, duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta tërheqë vendimin për shpronësimin e tokave në atë zonë, të marrë në mes të janarit.

Në mesin e tyre ishte edhe Sllavisha Jovanoviç, i cili tha se prona e tij është “uzurpuar” me shpronësim, sepse, siç u shpreh, askush nuk e ka pyetur apo informuar për një gjë të tillë.

“Neve na rrezikohen tetë hektarë pyje, pra familjes Jovanoviç. Edhe fqinjëve përtej kodrës u rrezikohen”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

Jovanoviq shtoi se për të dhe bashkëfshatarët e tij, problemi më i madh është se në tokën e shpronësuar pritet të ndërtohet një bazë për policinë kufitare të Kosovës.

Në katër komunat në veri të Kosovës të lidhura territorialisht – Mitrovicë e Veriut, Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok – shumica e popullatës është serbe.

Zona përfshihet shpesh nga tensionet, pasi banorët lokalë i kundërshtojnë autoritetet e Kosovës.

Policia e Kosovës konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se në fshatin Dren ka filluar puna për ndërtimin e stacionit policor kufitar, “me qëllim të sigurimit të qytetarëve, menaxhimit të kufirit dhe parandalimit të kontrabandës në atë rajon”.

Çfarë thanë banorët e tjerë të Drenit?

Ivan Josifoviq tha se Qeveria e Kosovës ka marrë “vendim të paligjshëm për shpronësimin e pronës së tij”.

Ai tha se qëllim i protestës së banorëve është tërheqja e vendimit për shpronësim dhe ndalimi i të gjitha punëve për ndërtimin e bazës së policisë kufitare.

“Të gjendet një zgjidhje në mënyrë paqësore”, u shpreh ai.

Kundër shpronësimit u shpreh edhe Jovan Millovanoviq, i cili tha se në atë lokacion, pranë varrezave, gjendet edhe një kishë e shekullit XIII.

“Të përpiqemi t’i ndalojmë [punimet]”, tha ai, duke shtuar se ajo që i shqetëson më shumë banorët, është se nuk e dinë saktësisht se çfarë do të ndërtohet.

“Është e pamundur që 80 hektarë të jenë vetëm bazë e policisë kufitare. Çfarë do të bëjë policia kufitare në majë të kodrës”, tha Millovanoviq dhe shtoi se stacioni i policisë kufitare nuk është me interes publik për banorët atje.

Çfarë i parapriu shpronësimit?

Në veri të Kosovës gjenden dy pika kufitare me Serbinë – Jarinja dhe Bërnjaku – por në atë rajon, prej vitesh, shfrytëzohen rrugë alternative dhe ilegale, për të shmangur vendkalimet zyrtare. Pikërisht këto rrugë, sipas zyrtarëve të Kosovës, shfrytëzohen për kontrabandë.

Deri më tash, Policia e Kosovës ka kryer disa aksione kundër kontrabandës me mallra dhe ka mbyllur rrugë alternative që çojnë në Serbi. Aksionet e tilla nuk kanë kaluar pa incidente./REL

Top Channel