Tre godina të reja studentore, Veliaj: Viti 2023, viti i studentëve për Tiranën

04/02/2023 15:33

Viti 2023 do të jetë viti i studentëve për Tiranën. Kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili inspektoi punimet për ndërtimin e tre godinave të reja studentore në Qytetin Studenti, tha se ky është kantieri i fundit që do të transformojë rrënjësisht jetesën e studentëve në kryeqytet.

“Viti 2023, përveçse është viti i Qytetit Europian të Sportit, do të njihet edhe si viti i studentëve për Tiranën dhe investimet e bëra. Investimet nisën vjet, kur mbaroi struktura pritëse në Universitetin Bujqësor të Tiranës në Kodër-Kamzë. Aty kemi ndërtuar tetë godina fantastike, të projektuara nga arkitekti Vinny Mass, dhe të përfunduara nga Bashkia e Tiranës, me grantin e qeverisë për të rikuperuar pasojat e tërmetit. Te Fakulteti i Inxhinierisë mbaruam godinat, bashkë me kolegët gjermanë dhe KFË-në. Po ashtu, mbaruam investimin tonë te Fakulteti i Mjekësisë. Kemi zgjidhur tre nga katër vatrat e akomodimit të studentëve, ndaj ky është viti kur plotësojmë edhe “Qytetin Studenti”. Këtu kemi tre godina të reja 7-katëshe, me ashensorë, me super dhoma, me të gjitha kushtet. Ndërsa kanë dalë tashmë fituesit e pesë godinave të reja, që do të bëhen me fondin e KFË-së,” u shpreh Veliaj.

Ai zbuloi planin e Bashkisë së Tiranës për ta kthyer “Qytetin Studenti” në një kampus universitar dinjitoz.

“Dikur ‘Qyteti Studenti’ konsiderohej si periferi e Tiranës, por sot është përqafuar nga urbanizimi. Ka ardhur nevoja që autobusët të kenë hapësirën e tyre, prandaj gjatë shkurtit do të transferohen në Lundër, në Terminalin Lindor. Lajmi i shkëlqyer është se ‘Qyteti Studenti’, duke qenë se ka terrene të lira, nuk do të jetë vetëm një mjedis konviktesh, por do marrë jetë si çdo kampus tjetër universitar në botë, ku edhe fakultetet, edhe hapësirat pritëse, janë bashkë në të njëjtën hapësirë. Shumë shpejt do të prezantojmë konceptet e reja për Fakultetin e Drejtësisë, Fakultetin Ekonomik, Shkencat Sociale, pra godinat e reja që do të vendosen këtu,” tha Veliaj.

“Për sa kohë që studentët nuk ka nevojë të futen në trafikun e Tiranës, por do të dalin nga konvikti për të shkuar në fakultet, besoj se do të jetë vërtet një formulë fituese për Tiranën dhe për studentët që vijnë dhe bëhen pjesë e stofit të qytetit. Sa më mirë t’i presim ata në Tiranë, aq më qytetarë dinjitozë do të jemi për Tiranën që duam”, tha Veliaj.

FOTO GALERI
5/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA