Pakistani ndalon rrjetin informativ Wikipedia për përmbajtje blasfemie, anti-islamike (fotot)

04/02/2023 18:22

Ajo që njihet si “enciklopedia falas” online është bllokuar sot në të gjithë Pakistanin pas refuzimit të njohjes së kërkesave të përsëritura të autoriteteve për heqjen e përmbajtjeve të konsideruara blasfemike e anti-islamike.

Autoritetet në Pakistan thanë se kanë bllokuar rrjetin Wikipedia për prezencën e “përmbajtjeve blasfemike”, në një godije ndaj të drejtave dixhitale në vendin konservator, shkruan rrjeti turk TRTWorld.

Enciklopedia online u ndalua pas refuzimit të saj për t’iu përgjigjur ankesave të përsëritura të autoritetet mbi përmbajtjet, tha sot zëdhënësi i autoritetit të telekomunikimeve në Pakistan, Malahat Obaid.

Zyrtarët i kishin dhënë më herët Wikipedia 48-orë kohë për të hequr materialet e kontestuara duke paralajmëruar bllokimin e saj në vend.

“Ata hoqën disa materiale por jo të gjitha,” tha Obaid. “Rrjeti do të mbetet mbyllur deri në heqjen e të gjitha materialeve të kundërshtueshme”, shtoi ai.

Wikimedia Foundation — grupi OJQ që menaxhon Wikipedia — tha se masa “i mohon të drejtën e informacionit vendit me popullatën e pesë më të madhe në botë”.

“Nëse kjo vazhdon, njerëzve në Pakistan do t’i mohohet njohuria e historisë e kulturës”, thuhej në deklaratën e rrjetit, pa përmendur cilat ishin përmbajtjet blasfemike të kontestuara.


Njohuritë fetare e historike janë një çeshtje e ndjeshme në vendin musliman, i cili ka bllokuar edhe më parë rrjete gjigante si Facebook e YouTube për publikimin e përmbajtjeve të konsideruara “sakrilegj”.

Pakistani ka bllokuar rrjetin YouTube nga viti 2012 deri në 2016 pas publikimit të një filmi mbi profetin musliman Muhamed që shkaktoi protesta të dhunshme në të gjithë botën muslimane.

Kohët e fundit vendi ka bllokuar disa herë dhe platformën e videove TikTok për përmbajtje “perverse e imorale”.

FOTO GALERI
1/3
Autoritetet në Pakistan thanë se kanë bllokuar rrjetin Wikipedia për prezencën e "përmbajtjeve blasfemike"

Top Channel