Eleminatoret e Euro 2025/ U21, Alban Bushi: Shqipëria në një grup të fortë e të ekulibruar

04/02/2023 15:49

Shorti i hedhur pak ditë më parë në Nion të Zvicrës, vuri Shqipërinë U21 në grupin E të eliminatoreve të Euro 2025.

Kuqezinjtë e Alban Bushit do të sfidojnë Rumaninë, Zvicrën, Finlandën, Malin e Zi dhe Armeninë.

Trajneri Alban Bushi në konferencën e tij për shtyp tregoi se si duken të paktën në letër këta kundërshtarë.

“Mendoj që është një grup relativisht i fortë dhe i ekuilibruar. Gjithkush mund t’i marrë pikë njëri-tjetrit. Janë ekipe që të hapin probleme. Gjithmonë jemi në kërkim të talenteve, do të kemi prurje shumë të mira. Shpresoj të mos kemi dëmtime këtë sezon dhe uroj që lojtarët të marrin minuta në ekipet e tyre, kam besim se do bëjnë mirë”, tha Bushi.

Kombëtarja U21 ende nuk e ka provuar shijen dhe emocionet e fazës finale të një Europiani  Botërori dhe padyshim që në prag të çdo fushate eliminatore synohet pikërisht kjo.

“Ne jemi ekip modest, por jemi të fortë kur bëhemi bashkë dhe sakrifikojmë për njëri-tjetrin. I kemi të gjitha shanset për t’u kualifikuar. Kemi probleme për gjetjen e lojtarëve në disa pozicione. Do jetë grup interesant, mendoj se do ketë shumë barazime. Jemi të fokusuar te ndeshja e parë ndaj Armenisë. I kemi parë, e kuptuam mënyrën e tyre të lojës. Duke sakrifikuar dhe luftuar, por edhe me pak fat, kemi mundësi të arrijmë sa më lart.

Kombëtarja U21 do të grumbullohet në mars në Antalia për të bërë diçka më ndryshe. Do të zhvillojnë atje katër ndeshje miqësore. Futbolli është aq sport i bukur, por edhe i mërzitshëm. Mund të luajmë keq, por duhet të vrapojmë mirë dhe të luftojmë. Këtë kam kërkuar gjithmonë tek ekipi”, shtoi Bushi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA