Njerëz nga zonat e deltës së lumit Niger, Ogale e Bille po kërkojnë drejtësi në gjykatën e lartë të Londrës.
Rreth 14,000 persona nga dy komunitete të Nigerisë po kërkojnë drejtësi në gjykatën e lartë të Londrës ndaj gjigantit ndërkombëtar të naftës e karburanteve fosile Shell, duke pretenduar se është përgjegjës për ndotje shkatërrimtare të burimeve të tyre ujore dhe të stilit të tyre të jetesës.
Individët nga komuniteti fermer Ogale në deltën e lumit Niger, ngritën padinë e tyre duke iu bashkuar më shumë se 2,000 të tjerëve nga zona Bille, një komunitet kryesisht peshkatarësh.
Në total 13,652 ankimime kanë ardhur nga individë, kisha, shkolla, që kërkojnë që kompania të pastrojë ndotjen që po shkatërron komunitetet e tyre.
Ata kërkojnë kompensim për humbjen e gjësë së gjallë dhe të mjeteve të tjera të jetesës, duke thënë se u është hequr aftësia për të peshkuar nga rrjedhjet e vazhdueshme të naftës prej operacioneve të Shell.
Kompania Shell, ka deklaruar fitime prej më shumë se $30 miliardë për treçerekun e vitit 2022, ndërsa argumenton se komunitetet nuk kanë forcën ligjore për ta detyruar të pastrojë ndotjet. Ata thonë se individët nuk mund të kërkojnë kompensim për rrjedhjet e disa viteve më parë, kur janë bërë pretendimet.
Kompania thotë se “nuk ka përgjegjësi për vjedhjen e naftës nga tubacionet e saj prej bandave të organizuara”, çka sipas tyre ka shkaktuar shumicën e ndotjes.
Padia kundër Shell vjen teksa kompania përgatitet të largohet nga delta e lumit Niger pas më shumë se 80 vjet operacione, nga të cilat ka përfituar të ardhura të mëdha, shkruan britanikja The Guardian.
Daniel Leader, partner i kompanisë ligjore të ankimuesve, tha: “Ky rast ngre çështje të rëndësishme për përgjegjësitë e kompanive të naftës e gazit. Duket se Shell po kërkon të largohet nga lumi Niger pa asnjë detyrim ligjor për ndotjen dhe shkatërrimin e lënë nga infrastruktura e saj e naftës, gjatë dekadave. Në një kohë kur bota është e fokusuar te tranzicioni, ngrihen pyetje për përgjegjësitë e kompanive për ndotjen mjedisore”.
Avokatët shtonin se ndotja e rrjedhjeve të naftës fsheh një tragjedi njerëzore të përmasave gjigante, teksa nafta e konsumuar në ushqimet e vendasve po shkakton dëme të rënda shëndetësore dhe shton numrin e vdekjeve.
Një raport Universitetit të St Gallen në Zvicër tha së fundmi se fëmijët në deltën e lumit Niger kanë dy herë më shumë shanse të vdesin në dy muajt e parë të jetës nëse jetojnë pranë rrjedhjeve të naftës, ndërsa studimi sugjeron se tashmë ka 11,000 vdekje të parakohshme në vit në deltën e lumit Niger.
Përveç pretendimeve individuale ndaj Shell, avokatët kërkojnë kompensim për pronën publike të përbashkët të komunitetit rural me 40,000 banorë Ogale, dhe komunitetit peshkatar Bille, me 13,000 banorë që jetojnë në një grup ishujsh në zonat kënetore të deltës.
Burimi kryesor i ujit në Ogale është ndotur rëndë nga nafta, e cila ka vrarë peshqit, kontaminuar ujin dhe shkatërruar tokën bujqësore.
Shumica e ujit të puseve në Ogale ka tashmë një erë të fortë nafte dhe është e ndotur në pamje të errët.
Në Bille, rrjedhjet e naftës nga makineritë e Shell kanë kontaminuar lumenjtë rreth komunitetit dhe ka dëmtuar shtëpitë e pronat e tyre.
Nafta ka dëmtuar zona të gjera të pyjeve dhe zonave kënetore, duke lënë popullatën peshkatare të Bille pa burim ushqimi apo të ardhurash.
Shell është aktiv në Nigeri prej 86 vitesh dhe operacionet e saj aty përbëjnë shumicën e fitimeve të kompanisë.
Në një raport të vitit 2011 agjencia e mjedisit e OKB për industrinë e naftës në Ogoniland, kërkonte “operacionin më të madh të pastrimit në histori” me një kosto prej të paktën $1miliardë, që janë vetëm 3% e fitimeve të grupit Shell në vitin 2022. //The Guardian//
Top Channel