Lionel Messi rikthehet të flasë për triumfin e Argjentinës së tij në Botërorin Katar 2022.
Në një intervistë të gjatë kapiteni i kombëtares albiceleste ripërshkruan momentet dhe emocionet e atyre ditëve magjike për të.
“Lutja gjatë penalltisë vendimtare? Kanë thënë që po flisja me Maradonën, por nuk është kështu. I kërkova Zotit dhe Gonzalos (Montiel) të shënonte, për të mos e zgjatur atë agoni më shumë, pasi po bëhej e padurueshme”, tha Messi.
Për argjentinasin triumfi në Doha ishte padyshim një çlirim i madh.
“E dëshiroja me gjithë qenien time atë moment. Pas shumë viteve në Kombëtare, pasi kisha qenë aq pranë në 2014. Kam bërë shumë sakrifica, ka patur shumë disfata dhe momente të vështira. Familja ime ndoshta e përjetoi më shumë se unë. Kam shumë të afërt në Argjentinë dhe kjo pritje po i konsumonte, vuanin si unë e ndoshta dhe më shumë. E di që kanë kaluar momente të këqija, por tani të gjithë jemi të çliruar nga suksesi dhe nga fakti që u bëmë kampionë të Botës”, u shpreh futbollisti.
Një nga imazhet simbol të finales me Francën është ajo pritje e Emiliano Martinez në rastin e Kolo Muani në skadimin e kohës shtesë. Për pak gjërat do të kishin shkuar shumë ndryshe.
“Ndodhi gjithçka aq shpejt. Nuk ja dola as ta shikoja tamam atë moment. Kam vuajtur më shumë kur kam parë videot më pas, kam akoma ankth kur e rishikoj”, shtoi ai.
Messi më pas ju përgjigjet kritikat për festimet e padenja, mes të cilave edhe gjesti i portierit Dibu Martinez në momentin e dhënies së çmimeve.
“Kritikat më duken të padrejta, kemi patur gjithmonë një sjellje shembullore brenda dhe jashtë fushe. Njerëzit flasin shumë për atë që ndodhi ndaj Holandës, por askush nuk thotë asgjë për atë që ndodhi më parë, për provokimet gjatë ndeshjes dhe mungesën e fair-playt. Të gjithë flasin vetëm për atë që bëmë ne”, tha Messi.
Messi ripërcjell edhe një herë etapat që e çuan te finalja.
“Pas disfatës me Arabinë Saudite ndiheshim shumë keq, dhe nëse nuk do të kishim fituar me Meksikën… Në atë moment ama u pa forca e grupit. Në pushim thashë se situata ishte e vështirë, por se duhej të luanim si dinim. Ishim superiorë ndaj Meksikës dhe duhej të përshpejtonim. Na hëngri ankthi, për segmente të tëra ishte ndeshja jonë më e keqe, por pastaj fituam besim dhe qetësi. Me Poloninë ishte një ndeshje për brenda ose jashtë dhe patëm kontrollin. U kthyem te thelbi ynë.”
Akti përmbyllës i Botërorit 2022 ishte dhe supersfida mes tij dhe Kylian Mbappe, të cilin e rigjeti më pas në Paris.
“Folëm pak për festimet, se si ishte përjetuar në Argjentinë. Asgjë më shumë. Kam humbur dhe unë më parë, kam qenë në atë pozicion dhe nuk doja të flisja shumë. E kuptoja dhe nuk doja ta prekja këtë argument. Mes tij dhe meje shkon gjithçka mirë“.
Në fund Messi flet edhe për të ardhmen e tij.
“Jam 36 vjeç dhe më duket e vështirë të mendoj se mund të jem në Botërorin e ardhshëm. Dua të luaj futboll dhe përderisa të jem në formë dhe të vazhdoj të argëtohem do ta bëj. Por nuk ia dal të mendoj deri për Botërorin e ardhshëm. Eci përpara, të shohim ku do të më çojë karriera. Scaloni? Shpresoj që të vazhdojë, do të ishte bukur të mos ndryshohej në këtë moment. Është një vendim që i takon atij dhe do ta kuptoja në çdo rast. Nuk i kam folur së fundmi, por uroj që të vendosë të rinovojë, pasi do të ishte maksimumi për Argjentinën. Këtë ja kam thënë”, përfundoi ai.
Top Channel