Kreu i kopshtit zoologjik urdhëroi vrasjen e dhive dhe gatimin e tyre për festën e Krishtlindjes (fotot)

03/02/2023 18:18

Ish-drejtori i një kopshti zoologjik në jug të Meksikës ka vrarë katër dhi karakteristike vendase për t’i pjekur gjatë një feste të periudhës së Krishtlindjeve, thanë sot autoritetet gjatë hetimeve të çështjes.

“Këto katër kafshë u therrën brenda ambjenteve të kopshtit zoologjik dhe u shërbyen si ushqim për një festë të fundvitit”, tha Fernando Ruiz Gutierrez, zyrtari shtetëror i mbrojtjes së botës së egër, duke akuzuar drejtorin e atëhershëm José Rubén Nava.

“Kjo mund të vërë në rrezik njerëzit që konsumuan mishin e tyre pasi ato nuk ishin të përshtatshme për njerëzit”.

Rubén Nava është shkarkuar në fillim të janarit si drejtor i kopshtit zoologjik të Chilpancingo pas ngordhjes së një dreri të kopshtit, pro zyrtarët thanë se hetimet zbuluan se të tjera kafshë ishin shitur, tregtuar ose ngrënë, nën urdhrat e Nava.

Zyrtarët mjedisorë thanë se dele karakteristike Vatusi ishin shitur ndaj individëve privatë, pa u regjistruar në dokumentet e kompleksit zoologjik.

Nava besohet se ka shitur dhe një zebër në këmbim të disa pajisjeve që nevojiteshin për kopshtin, por aparatet e pretenduara nuk u gjetën në impjant.

Nuk është ende e qartë nëse janë ngritur akuza mbi Nava apo nëse ai po mbrohet me një avokat.

Meksika është përmendur dhe më parë për probleme të blerjeve ilegale të kafshëve ekzotike nga individët.

Trafikantë drogash kanë ndërtuar kopshte private në Meksikë me luanë, tigra e kafshë të tjera të egra, të cilat disa herë janë arratisur duke shkaktuar panik.

Në qytetin qendror të Aguascaliente, policia tha së fundmi se një luan kishte sulmuar një grua në hyrje të shtëpisë së saj. Luani pasi ishte kapur ishte dërguar në kopshtin zoologjik të lokalitetit.

FOTO GALERI
1/4
Drejtorin i atëhershëm José Rubén Nava.

Top Channel