Izraeli kryen sulme ajrore mbi Rripin e Gazës (fotot)

03/02/2023 18:46

Ushtria e Izraelit tha sot se ‘ka goditur Rripin e Gazës’ mëngjesin e të enjtes, disa orë pasi një raketë ishte lëshuar nga territori palestinez.

Ende nuk ka raportime për viktimat por gazetarë dhe dëshmitarë thanë se pas sulmeve ajrore të tjera raketa të improvizuara u lëshuan nga militantët palestinezë në Gaza, sipas rrjetit francez Agence France-Presse.

Dëshmitarët thanë se të paktën shtatë goditje ajrore u kryen mbi qendrën stërvitore Ezzedine al-Qassam Brigades, që raportohet se i përket lëvizjes militante Hamas, pranë kampit të refugjatëve al-Maghazi.

Një seri e dytë sulmesh izraelite goditën një kompleks që besohet se i përkiste grupit të quajtur ‘Brigadat al-Qassam’ në jugperëndim të Gazës, sipas burimeve vendase të sigurisë.

Pas sulmit të parë një gazetar i AFP tha se dy raketa u lëshuan drejt Izraelit.

Një zyrtar izraelit i ushtrisë tha se avionët “goditën një pikë të prodhimit e magazinimit të materialeve luftarake” që i përket Hamas.

Gaza, e populluar dendur me rreth 2 milionë banorë, është nën bllokadën e ushtrisë izraelite që prej ardhjes në pushtet të grupit Hamas në 2007.

Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës është një tjetër grup që raportohet se lëshoi raketa të vogla drejt Izraelit, në kundërpërgjigje të sulmeve ajrore dhe ndaj “agresionit sistematik” te të burgosurit palestinezë në burgjet izraelite.

Ministri izraelit i sigurisë Itamar Ben-Gvir, tha se do të vijojë me planet për ashpërsimin e kushteve të palestinezëve në burgjet izraelite.

Ai tha se raketat vijnë pas mbylljes së dy dyqaneve të bukës të operuara nga palestinezët në burgjet izraelite.

Burgjet izraelite kanë ashpërsuar regjimin e të burgosurve palestinezë me dhjetra të lënë në izolim pas sulmeve të fundit me thikë në Jeruzalem.

Një operacion i ushtrisë izraelite javës që shkoi në kampin e refugjatëve në Xhenin, të Bregut Perëndimor la 10 palestinezë të vrarë, mes të cilëve dhe një grua 61 vjeçare. Një ditë më vonë një sulmues palestinez vrau me thikë shtatë izraelitë jashtë një sinagoge në Lindje të Jeruzalemit.

Kësaj jave sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken, ishte në lindjen e Mesme për të tentuar pa sukses reduktimin e tensioneve, teksa tha se “ata e kanë në dorë vetë” t’i japin fund dhunës e gjakderdhjeve.

 (The Guardian, Agence France-Presse, Reuters, Associated Press)

FOTO GALERI
1/3
Itamar Ben-Gvir, tha se do të vijojë me planet për ashpërsimin e kushteve të palestinezëve në burgjet izraelite.

Top Channel