I arratisuri i mafias kapet duke punuar kuzhinier në Francë, madje me artikuj gatimi në gazetën lokale (fotot)

03/02/2023 15:37

Një ish-anëtar i mafias në arrati prej 17 vitesh prej akuzave se rrahu për vdekje dy vëllezër, është gjetur duke punuar si picier në Francë.

63 vjeçari Edgardo Greco, raportohet se u zbulua nga Interpol, teksa mburrej për afëtsitë e tij të gatimit “me recetat autentike italiane” në një gazetë lokale në Saint-Etienne të Francës.

Gangsteri i ‘Ndrangheta-s’ i njohur gjithashtu si “vrasësi i burgut” kishte jetuar në qytetin francez prej vitit 2014 pas një mandati arresti të lëshuar në 2006 për vrasjen e dy vëllezërve në Kalabri.

Stefano e Giuseppe Bartolomeo u vranë në pjesën e pasme të një dyqani peshku në vitin 1991 ku ishin rrahuar për vdekje me shufra hekuri, shkruan rrjeti britanik Daily Mail.

Interpol, qendra e së cilës është në Lion të Francës, tha se vrasjet ishin pjesë e “luftës së mafias” që shënonte fillimin e viteve 1990-të në Itali.

Familja e tij mafioze Perna-Pranno është lidhur me një seri vrasjesh teksa luftonte për të vendosur supremacinë në vitet 1990-të në Kalabri.

Greco, i cili ishte burgosur për një grabitje banke, fitoi pseudonimin e tij për një tentative vrasjeje në burg. Por më pas ai ishte zhdukur kur u akuzua për vrasjen e dyfishtë, para se të shfaqej në Francë me emrin e ri Paolo Dimitrio.

Ai fillimisht ai hapi restorantin e tij në Lion, para se të vendosej në Saint-Etienne në 2014.

Hetuesit e kishin ndjekur atë me anë të bashkëpunëtorëve ndërsa Greco nuk ishte në dijeni të hetimeve të tyre.

Ai dha një intervistë për aftësitë e tij si ‘picajol’ me të përditshmen vendase ‘Le Progres’.

Mes të tjerave në artikull shkruhej: “Paolo Dimitrio ka bërë ëndrrën e tij realitet duke rikrijuar kuzhinën e sofistikuar italiane vetëm me ingredientë të freskët vendorë”.

Përfaqësuesi i autoriteteve italiane Agatino Saverio Spoto, tha se pasioni i tij për kuzhinën ishte ai që rrjedhimisht e tradhtoi drejt kapjes.

“Sado që të arratisurit të fshihen në një jetë të qetë jashtë vendit, ata nuk mund të largohen përjetësisht nga drejtësia”, tha ai.

Një nga mafiozët më të kërkuar në Itali, Giocchino Gammino, u kap pas 30 viteve në arrati pasi u pikas në Spanjë nga kamerat e Google Street View, sipas autoriteteve.

Ndërsa këtë muaj kreu i mafias Matteo Messina Denaro u kap pas 30 viteve që i largohej drejtësisë, në qytetin e tij të lindjes.

FOTO GALERI
1/5
63 vjeçari Edgardo Greco, raportohet se u zbulua nga Interpol, teksa mburrej për afëtsitë e tij të gatimit “me recetat autentike italiane” në një gazetë

Top Channel