Seancë e tensionuar në Kuvend/ Berisha i përjashtuar, deputetët e tij bllokojnë foltoren! Kërkojnë interpelancë me Ramën

02/02/2023 12:00

Mos prezenca e kryeministrit Edi Rama ka sjellë tensione të larta edhe këtë seancë plenare, ku grupimi i Berishës bllokoi foltoren për tre orë.

Grupimi Berisha kërkoi ndryshimin e rendit të ditës në mënyrë që mocioni me debat për çështjen McGonigal të zhvillohej pa limit kohor dhe të flisnin të gjithë deputetët. Por kjo kërkesë nuk mori votat e nevojshme dhe u rrëzua.

Nga ana tjetër, sot pritej që të zhvillohej interpelanca mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Grupit të PD-së, Enkelejd Alibeajt mbi çështjen e zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal.

Kreu i qeverisë  nuk ka shkuar në Kuvend dhe ia ka deleguar interpelancën ministres Elisa Spiropali, por kjo nuk është pranuar nga deputetët e PD-së, të cilët kërkojnë interpelancë me vetë Ramën dhe asnjë nga ministrat.

Bardhi: S’kam kërkuar interpelancë me hijen e kryeministrit, nuk e  kam thirrur si të pandehur, por si kryeministër, ai s’mund të fshihet pas Elisës as Agron Nezës as McGonigal, duhet të vijë këtu që me veprime kriminale ka korruptuar një prej personave më të rëndësishëm, si vegël në duart e tij të pista kundër opzozitës. Sipas rregullores, interpelanca urgjente është pika e parë e ditës. Pezullo dhe ushtro autoritetin tënd, jo një kukull e Edi Ramës, thirre Edi Ramën.

Nikolla: Tërhiq epitetet që i ke kthyer rëndom.

Bardhi: Në respekt të rregullores thirre, boll u fsheh 10 ditë, i pandehur si qytetar ka të drejtat e veta, të marrë Elisën si avokate nuk kam asnjë problem, por si kryeministër të vijë të japë llogari. Nuk di që të ketë qenë në takimet e kryeministrin. Elisa nuk ka lidhje për këtë, është sjellje si i pandehur i kryeministrit të Shqipërisë.

Kreu i grupit Parlamentar të PS-së, propozoi që të vijohej me diskutimin e pikave të tjera, i cili u miratua. Kjo u prit nga kundërshtime të deputetëve të opozitës.

Balla: Kjo nuk ka asnjë lidhje me shtetin shqiptar. Keni që në mëngjes që bëni gjykatën, keni ardhur të fshiheni pas gishtit , jeni duke zbatuar porositë e non gratës suaj nga SHBA dhe Britania e Madhe, kjo nuk është salla ku bëhet vetëgjyqësia, por diskutime të Kuvendit.

Luçiano Boçi është shprehur se pesë deputetët e PD-së, mes tyre edhe Sali Berisha janë përjashtuar pa asnjë arsye për 10 ditë nga Kuvendi.

 Luçiano Boçi: Tek po lexoja procesverbalin nuk gjeta asnjë arsye për përjashtimin e deputetëve të PD për 10 ditë, kanë kërkuar të drejtën e tyre për një mocion me debat për ish zyrtarin e lartë të FB për lidhjet e tij për eliminimin e opozitës, ndërkohë ju vazhdoni atë skenar që tashmë ka kohë që organizohet dhe zbatohet dhe është e njëjta mënyrë dhe e njëjta formë, nëse Rama paguan agjentët e FBI korrupton ata, dhe ky parlament është i korruptuar nga po ai, po i hiqet fjala opozitës. Është akt tradhtie kombëtare, Rama kërkon të eleminojë sistemin, kolonat e sistemit dhe kërkon të ndërtojë regjimin e tij dhe është kryeministri i parë. Kryeministri duhet të dalë këtu me pranga në duar, dorëheqja është akti më i pastër.

Luçiano Boçi: Frika e tij për t’u paraqitur tregojnë më shumë se fjalët e tua për ta mbrojtur. Ai duhet të vijë të paraqitet këtu. T’i nënshtrohet dhe interpelancës, por edhe mocionit me debat të kërkuar nga deputetët e PD. Kërkesa jonë ka që para një jave që është bërë dhe kjo kërkesë duhet të ishte plotësuar. Ju bashkë me atë po kërkoni të fshihni të vërtetën, duke bërë propagandën e radhës në një vend kur Opozita duhet të ketë fjalën e saj të lirë. Ju nuk mund të vazhdoni më me këtë situatë. Jepi çdo deputeti fjalën e tij dhe të zbulohet e vërteta e trishtë. Kemi një kryeministër tradhëtar, dhe shqiptarët ndihen të tradhëtuar. Beteja jonë nuk do ndalet. Kur ju i referoheni rregullores është njësoj sikur djalli të lexojë biblën. Prandaj, të dashur deputetë ne duhet të marrim fjalën tonë dhe të vendosim të vërtetën mbi çdo interes.

Albana Vokshi: Nxirre Edi Ramën! Ku është Edi Rama? E shikoni përsëri një votim i turpshëm. Mohojnë me forcën e kartonit të drejtën e fjalës së Opozitës për skandalin më të madh ndonjëherë që ka bërë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Deputetët e Opozitës: Nxirreni Ramën nga vrima e miut. Edhe hajdut edhe frikacak. Kryeministri i Shqipërisë është bërë turp i botës. Nxirrni dhe sillni Edi Ramën nga arratia. Shpalleni në kërkim!

Luçiano Boçi: Siç e shihni ky është standarti që ka vendosur kryetarja e parlamentit. Opozitës i mohohet fjala, dhe vetëm ministrat kanë të drejtë të bëjnë pjesën e propagandës ligjore dhe projektligjet e tyre, ndërkohë që sot shqiptarët janë të tradhëtuar nga kryeministri i tyre, i cili ka frikë të ballafaqohet me të vërtetën në parlament, e akoma më shumë me të vërtetën para shqiptarëve. Por të jeni të bindur të dashur shqiptarë që ne do e nxjerrim nga ajo vrima e miut. Përtej çdo përpjekje që ne ta mbyllim gojën kemi bërë gati komisionin hetimor për çështjen Rama-McGonigal, dhe komisioni do të ngrihet menjëherë sipas procedurave parlamentare ku deputetët kanë shprehur të gjithë vullnetin e tyre të plotë, me 35 firma dhe dorëzimi do bëhet sot.

Deputeti Bardhi gjithashtu i ka kërkuar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla që të anulohet votimi i seancës së kaluar, duke theksuar se sipas rregullores, projektligjet që u miratuan javën e kaluar duhet të futen sërish në këtë seancë.

Bardhi: Mbi 15 ligje u miratuan pa i dhënë të drejtën 54 deputetëve të opozitës. Është detyra juaj që shkeljen e rregullores ta zhbëni ose ndryshe keni vrarë parlamentarizmin. S’ka nevojë të bëheni mburojë për Edi Ramën silleni në seancë të japë llogari sa kohë paguhet si. Anulo procesin e votimit në seancën e kaluar dhe nuk mund ti hiqni të drejtën e fjalës së opozitës.

Kujtojmë se pesë deputetët e PD-së, Sali Berisha, Flamur Noka, Belind Këlliçi, Edmond Spaho dhe Edi Paloka janë përjashtuar për 10 ditë nga Kuvendi pas situatës së tensionuar të javës së kaluar. Kjo situatë u shkaktua pasi Kuvendi nuk e miratoi kërkesën e grupimit Berisha për mocion me debat me kryeministrin Edi Rama për çështjen McGonigal.

Sipas grupimit Berisha, në padinë e ngritur ndaj McGonigal pranë Gjykatës së Distriktit të Kolumbias renditen një sërë faktesh që lidhen me të paktën pesë takime të fshehta të zhvilluara mes kryeministrit Rama dhe  McGonical, në praninë e dy personave të tjerë që kanë bashkëpunuar dhe vepruar në emër të Ramës, përfshirë përmes mitmarrjes së shumës së 225 mijë dollarëve për të ndikuar në zhvillimet e brendshme politike në Shqipëri.

Nga ana tjetër, Rama është shprehur se nuk asnjë padi ndaj tij dhe se drejtësia amerikane s’mund të kontestohet nga vetëgjyqësia e Foltores apo vulës. Sipas kreut të qeverisë, opozita po e përdor për interesa të saj.

Arrestimi i ish-shefit të kundërzbulimit të FBI-së në New Jork, Charles McGonigal ka shkaktuar një furtunë në mediat amerikane por jo vetëm.

Ai u arrestua në New York me akuzat se ka mbështetur një oligark rus të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe se ka marrë ryshfet nga një ish-agjent i shërbimit sekret shqiptar.

Charles McGonigal ka punuar për sektorin e kundërzbulimit të FBI-së, derisa u largua nga FBI-ja në shtator të vitit 2018 dhe ndër të tjera mbulonte edhe Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën.

Ai akuzohet se ka marrë 225 mijë dollarë nga një ish-punonjës i shërbimeve sekrete të Shqipërisë dhe ka zhvilluar një sërë takimesh me biznesmenë dhe politikanë në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnje, por pa i raportuar ato sipas rregullave.

FOTO GALERI
1/50

Top Channel