Për më shumë se tre minuta u duartrokit presidenti serb nga ligjvënësit e shumicës në momentin që hyri në sallën e parlamentit për të folur mbi ecurinë e deritanishme të dialogut dhe propozimin franko-gjerman që synon zgjidhjen e ngërçit me Kosovën.

Mbërritja e Vuçiçit shërbeu si një lloj sinjali për mbështetësit e tij, të cilët filluan të brohorasin në një skenë, që sipas mediave në Kosovë, të kujtonte seancat plenare në Korenë e Veriut. Ligjvënësit e opozitës e pritën presidentin me pankarta ku shkruhej “Jo kapitullimit”, duke demonstruar kështu qasjen e tyre ndaj propozimit europian, por kjo nuk i pëlqeu deputetëve të mazhorancës, që tentuan të rifitojnë vëmendjen përmes duartrokitjeve.

Ligjvënësit serbe ishin mbledhur për t’u njohur me raportin mbi procesin e negociatave me autoritetet e Kosovës, që mbulon periudhën nga 1 shtatori i vitit 2022 deri më 15 janar të vitit 2023. Raporti u dorëzua në parlament nga Qeveria e Serbisë, por çuditërisht, aty, propozimi europian për një marrëveshjeje normalizimi të marrëdhënieve me Kosovën, nuk përmendej.

Plani që ka edhe mbështetjen e SHBA-së nuk është bërë publik, megjithatë ai iu prezantua Beogradit dhe Prishtinës, në shtator dhe dhjetor të vitit 2022. Media që kanë pasur qasje në këtë dokument thonë se aty nuk përmendet njohja reciproke apo anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara, por i mëshohet idesë së mbështetjes që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve europiane.

Gjithashtu, Serbisë i kërkohet që të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.Vuçiç nënvizoi një ditë më parë se nuk ka afate kohore për pranimin e planit franko-gjerman.

Top Channel