Hetim i thelluar ka nisur për 44 persona, të cilët akuzohen për vendosjen e kamerave të paligjshme në Tiranë në ambiente publike, duke shkelur privatësinë e qytetarëve.
Gjatë 24 orëve të fundit policia çmontoi 65 kamera të vendosura në kundërshtim me ligjin, si dhe nisën hetimet për 7 shtetas, për ndërhyrje të padrejta në jetën private.
Më herët janë çmontuar 155 kamera dhe nisën hetimet për 37 persona të tjerë, mes tyre edhe për të fortin e “Myslym Shyrit”, Gjergj Cukali.
Gjatë operacionit të fundit kamerat u gjetën në Rrugën e Vilave, “Azem Hajdari”, “Azem Galica”, “Europa”, “Sabri Preveza”, “Sarina”, “Staf Melani”, “Ali Kelmendi”.
Ndërsa personat nën hetim janë I. D., J. M., A. P., E. L., M. B., F. Ll. (L)., F. A., L. Rr., dhe I. K.
Njoftimi i plotë
Qarku Tiranë/Vijon faza e nëntë e zbatimit të planit operacional policor, mbarëkombëtar, të koduar “Fijet”, i iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Shkon në 220 numri i kamerave të çmontuara dhe në 44 numri i shtetasve për të cilët janë iniciuar hetime të thelluara.
Strukturat hetimore të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë në varësi të saj, çmontuan së fundi, 65 kamera të vendosura në kundërshtim me ligjin, si dhe iniciuan hetimet për 7 shtetas, për ndërhyrje të padrejta në jetën private. Më herët, nga strukturat e DVP Tiranë janë çmontuar 155 kamera dhe u iniciuan hetimet për 37 shtetas të tjerë.
Strukturat hetimore të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë në varësi të saj, në zbatim të detyrave të përcaktuara në kuadër të planit operacional mbarëkombëtar, të koduar “Fijet”, i iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, si dhe me mbështetjen e inteligjencës informative, për vendosjen e paautorizuar të disa kamerave, në disa lagje të Tiranës, me qëllim sigurimin e informacioneve, për qëllime kriminale, si dhe për të monitoruar lëvizjet e Policisë, kanë organizuar punën për evidentimin dhe çmontimin e këtyre kamerave, identifikimin e pronarëve të tyre, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të qëllimit të përdorimit.
-Në zbatim të këtij plani operacional, në Rrugën e Vilave, “Azem Hajdari”, “Azem Galica”, “Europa”, “Sabri Preveza”, “Sarina”, “Staf Melani”, “Ali Kelmendi”, janë çmontuar 65 kamera. Në vijim të veprimeve procedurale për këto raste, janë iniciuar hetimet për shtetasit I. D., J. M., A. P., E. L., M. B., F. Ll. (L)., F. A., L. Rr., dhe I. K. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Operacioni i koduar “Fijet” po vazhdon prej ditësh në të gjitha qytetet e vendit, ku deri më tani janë çmontuar qindra kamera. Dhjetëra persona janë vënë nën hetim nga veriu në jug të vendit, ku ndër ta ishte edhe Albert Muharremi, vëllai i Rrumit të Shijakut dhe persona të tjerë me precedentë penalë.
Top Channel