Simbole, parlament, financim nga Serbia! Drafti i Asociacionit, “një shtet më vete”?

31/01/2023 12:05

Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë parashikohet të formohet në përputhje me Kushtetutën dhe sistemin juridik të Kosovës, sipas draft statutit të publikuar nga organizata gjermane, Friedrich-Ebert-Stiftung.

Në dokumentin e përbërë nga 7 kapituj dhe 18 nene, përmendet me detaje mënyra e themelimit, struktura organizative, marrëdhëniet me autoritetet qendrore, rregullimin ligjor, buxhetin, si dhe aspekte të tjera të funksionimit të këtij asociacioni. Drafti parashikon që Asociacioni të ketë simbolet e veta zyrtare, duke përfshirë stemën dhe flamurin, të cilat do të krijohen nga Bordi i Asociacionit në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.

Statuti do të miratohet nga një kuvend themelues i Asociacionit, i përbërë nga anëtarët e votuar të kuvendeve komunale të komunave pjesëmarrëse. Aprovimi i tij do të behet me akt juridik të Qeverisë së Kosovës dhe do të hyjë në fuqi pas shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Sipas dokumentit, anëtarë të këtij asociacioni mund të jenë dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë: Mitrovica e Veriut, Kllokoti, Parteshi, Ranillugu, Graçanica, Zveçani, Zubin Potoku, Novobërda, Leposavici dhe Shtërpca.

Anëtarësimi është vullnetar dhe çdo anëtar duhet t’i përmbahet statutit. Asociacioni, sipas dokumentit të prezantuar, do të ketë të drejta të plota në fushën e zhvillimit ekonomik lokal, në fushën e edukimit, planifikimit urban, si dhe rural. Do të ketë buxhetin e vet, llogari bankare, prona, si dhe të angazhohet në transaksione financiare. Asociacioni të ketë po kështu kuvendin e tij, kryetarin, nënkryetarin, këshillin  dhe bordin e Asociacionit.

Sa për financimin e tij, ai do të vijë nga kontributet e anëtarëve, të ardhurat nga shërbimet e ofruara nga Asociacioni, pasuritë e tij të luajtshme ose të paluajtshme, transfertat nga autoritetet qendrore, grantet, donacionet, si dhe mbështetja financiare e shoqatave dhe organizatave të tjera, vendase dhe ndërkombëtare, duke përfshirë këtu dhe vetë Republikën e Serbisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA