Shkrumbohet banesa në Shijak/ Shpëton mrekullisht nga flakët kyefamiljari, digjen mbi 15 milionë lekë

31/01/2023 22:23

Një shtëpi është shkrumbuar nga zjarri natën e kaluar në Rubjekë të Shijakut.

Bashkë me shtëpinë janë djegur dhe gjëja e gjallë, si dhe paratë që familja Domi kishte marrë për të rindërtuar shtëpinë e dëmtuar nga tërmeti këtë pranverë.

Familja prej 7 anëtarësh ka mbetur në qiell të hapur. Shërbimi zjarrfikës i Shijakut dhe ai i Durrësit kanë ndërhyrë, po pa mundur të shpëtojnë gjë nga shtëpia.

Në çastin kur ka rënë zjarri në banesë ndodhej vetëm kryefamiljari Vehbi Domi i cili ka shpëtuar pa lëndime nga shtëpia e përfshirë në flakë.

Është përpjekur të shpëtojë lopën dhe dhitë që ndodheshin në kasollen pranë, por e ka pasur të pamundur. Burime nga shërbimi zjarrfikës bëjnë me dije se janë ende të paqarta shkaqet e zjarrit në shtëpinë e cila ishte e dëmtuar nga tërmeti dhe e mbuluar me llamarina.

Kur zjarrfikësit kanë mbërritur flakët kishin djegur pothuajse çdo gjë. Familja kishte përfituar nga granti i rindërtimit një shumë prej rreth 15,7 milion lekësh, të cilat deklarohen se iu dogjën bashkë me gjithçka tjetër.

Familja siguronte të ardhura nga shitja e qumështit të lopës dhe bagëtia ishte e vetmja pasuri që kishte. Pas zjarrit edhe ky burim të ardhurash iu ndërpre.

Pas tërmetit të 2019-s, për familjen Domi nga Rubjeka kjo konsiderohet një fatkeqësi dhe më e madhe, pasi zjarri u mori dhe paratë e shpresën për një shtëpi të re.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA