Elbasani është fushëbeteja e parapëlqyer e makinerive elektorale, ndërsa nga ekspertët zgjedhorë vlerësohet si qarku përcaktues për peshën e partive politikë sa herë ka zgjedhje, por në betejën e pranverës një tjetër makineri do futet në lojë, ajo elektronike e cila do ti japë fund kontestimeve të rezultatit zgjedhor nga forcat pjesëmarrëse.
Qeveria gjeti paratë për t’ia dhënë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të shtrirë votimin dhe numërimit elektronik në 3 bashki, ndaj kur qytetarët e Elbasanit, Kamzës dhe Vorës ti drejtohen kutive të votimit të dielën e 14 Majit nuk do presin shumë për të mësuar emrin e kryebashkiakut të ri vetëm pak orë pasi qendrat e votimit të mbyllen.
Negociatat e nisura qe prej shtatorit të 2022 u finalizuan me alokimin e fondit që kap shifrën e 800 milion lekeve thënë ndryshe 7 milion eurove, kosto kjo që duhet te paguajnë qytetarët përmes taksave të tyre për shkak se komisionerët partiak nuk ngjallin besim në administrimin e fletëve te votimit.
Zemërgjerësia e Ekzekutivit për shtrirjen e projektit në 352 qendra votimi te reja u shoqërua edhe me konsensusin e partitë politike të cilat janë dakord që elektronika të shtrihet në bashkinë e Elbasanit përkatësisht në 4 ZAZ, ndërsa në Kamëz në dy ZAZ, ndërsa për Bashkinë Vorë ZAZ është e njëjta ajo me numër 26.
Elektronika hyri si risi në vitin 2021 ku votimi dhe numërimi elektronik ishte një procedurë që përfundoi në kohë rekord në Bashkinë Vorë. Projektvendimi tashmë është në tryezën e Komisionerit dhe pritet të miratohet të mërkurën në seance publike.
Top Channel