Kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviç iu përgjigj pa doreza deklaratës së presidentit të këtij vendi, Zoran Millanoviç, i cili befasoi me pohimet e një dite më parë kur tha se “Kosova u rrëmbye nga Serbia”.
Duke hequr paralele me Kosovës e Krimesë, Milanoviç kritikoi shtetet perëndimore për përdorim të standardeve të dyfishta në politikat ndërkombëtare, e tha se Rusia mund të përdorë, atë që e ai e quajti “aneksim të Kosovës” nga komuniteti ndërkombëtar si një justifikim për të marrë pjesë të territorit të Ukrainës.
“Ne e kemi njohur Kosovën kundër vullnetit të shtetit të Serbisë, të cilit ajo i takon. Rusët, nëse janë cinikë do t’i referohen Kosovës….Ne e aneksuam Kosovën. Ne dhe komuniteti ndërkombëtar. Ajo u mor nga Serbia. Kush e bëri këtë përveç nesh? Nuk është aneksim, është rrëmbim”, tha ai. Përgjigjia, i erdhi më së pari, nga shefi i ekzekutivit të vendit të tij. “Asnjë shtet nuk e ka aneksuar Kosovën. Me sa di unë, Kosova është një vend i pavarur të cilin Kroacia e ka njohur 15 vjet më parë. Ajo është subjekt i së drejtës ndërkombëtare. Nëse dikush do ta kishte aneksuar, atëherë do ta kishte marrë nga territori i një vendi dhe do ta aneksonte në një tjetër”, ishte komenti i Plenkoviçit, i cituar nga mediat kroate.
“Milanoviç tashmë është një yll jo vetëm në mediat ruse por edhe në ato serbe”, shtoi më tej me ironi.
Ashpër ka reaguar po kështu edhe partia në pushtet në Kroaci, Bashkimi Demokratik Kroat, HDZ e cila nuk e pranoi deklaratën e presidentit se “Kosova u mor nga Serbia”. Një reagim erdhi nga deputetja shqiptare në Parlamentin e Kroacisë, Ermina Lekaj Prljaskaj, e cila i shpjegoi Milanoviçit se procesi i pavarësisë së Kosovës ishte i njëjtë me atë të vetë Kroacisë, të krijuar në procesin e shpërbërjes së Republikës Federale Socialiste të Jugosllavisë.
Top Channel