Kanali i kullimit i bllokuar, banorit i përmbytet shtëpia në çdo reshje. Fiksi zgjidh problemin, pastrohet kanali pas 15 vitesh

31/01/2023 20:40

Skënder Yzeiraj një banor i Njësisë Administrative Golem ka kërkuar ndihmën e emisionit Fiks Fare, pasi herë pas here në reshje të shumta, kati i parë i shtëpisë së tij  përmbytet. Kjo si pasojë e mospastrimit të një kanali që ndodhet pranë zonës ku ai banon.

Skënderi tregon se vetëm për një vit i është drejtuar 4 herë Njësisë Administrative Golem, gjithashtu edhe zyrave të Emergjencave Civile të Bashkisë Kavajë, por sa herë që shkon për të kërkuar zgjidhje ata i flasin vetëm për dëmshpërblime financiare të cilat përveç se nuk i ka marrë asnjëherë, nuk ka arritur të gjejë as zgjidhje.

Qytetari në prani të gazetarëve të Fiksit telefonon administratorin e Njësisë Golem Astrit Bodllin, ky i fundit i thotë se ka folur me bashkinë dhe është në pritje të mbledhjes së këshillit të bashkisë. Më pas qytetari telefonon drejtorin e emergjencave civile zotin Paskal Progni dhe përgjigja që ai i jep është se dëmshpërblimin do ta marrësh, por që pritet të mblidhet këshilli bashkiak dhe të parët  që do merren në konsideratë janë emergjencat civile. Skënderi tregon se gjithnjë këtë përgjigje ka marrë, por zgjidhje nuk ka patur kurrë.

Gazetarët e Fiks Fare i drejtohen zyrës së Emergjencave Civile në Bashkinë Kavajë ku drejtori i kësaj zyre zoti Paskal Progni ,thotë se terreni i asaj zone është i vështirë dhe duhet një mjet me zinxhir sepse toka është e butë. Por nga këshilli i bashkisë është dhënë urdhëri që të mblidhen mjetet e pastrimit për ndërhyrje në terren.

Vetëm një ditë pas interesimit të Fiks Fare gazetarët bashkë  me qytetarin shkojnë në terrenin ku qëndron problematika  dhe  u pa që kishte filluan ndërhyrja për zgjidhjen e problemit, pastrimin e kanalit. Qytetari falenderon emisionin Fiks Fare, pasi duhej ndërhyrja e emisionit që kanali të pastrohej pas 15 vitesh.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA