Ka shkuar në 93 persona numri i viktimave nga sulmi i së hënës në një xhami, i cili kishte në shënjestër policët në provincën pakistaneze të Peshavarit. Kryeministri i Pakistanit dhe liderë të tjerë kanë dënuar aktin, duke e konsideruar si një nga sulmet më të rënda në vend në vitet e fundit.
“Midis 300 dhe 400 policë kishin qenë në atë zonë në kohën kur ndodhi sulmi”, tha shefi i policisë së Peshavarit, Muhammad Ijaz Khan.
Dëshmitarët okularë kanë thënë se kamikazët që qëndronin në rreshtin e parë pas imamit, shpërthyen jelekët me eksplozivë teksa besimtarë, përfshirë shumë policë dhe zyrtarë të tjerë, ishin mbledhur për lutjet e pasdites në Xhaminë e Linjës së Policisë.
“Terroristët duan të krijojnë frikë duke vënë në shënjestër ata që kanë për detyrë ta mbrojnë Pakistanin. I gjithë kombi po qëndron i bashkuar kundër kërcënimit të terrorizmit”, tha kryeministri Shehbaz Sharif, i cili shpalli të martën ditë zie kombëtare. Ai tha se ata që qëndronin pas sulmit nuk kishin asnjë lidhje me Islamin.
Talibanët pakistanezë kanë mohuar përfshirjen në këtë sulm. Talibanët pakistanezë, të njohur si Tehreek-e-Taliban Pakistan (TTP) kanë marrë përsipër sulme të ngjashme në të kaluarën. Grupi radikal ka zhvilluar një kryengritje në Pakistan gjatë 15 viteve të fundit.
Top Channel