Merkato e janarit, për ekipet shqiptare konsiderohet si një varkë shpëtimi, ku skuadrat duan që të riparojnë problemet e hasura në pjesën e parë të sezonit.
Kukësi dhe Bylis i panë rezultatet e merkatos dimërore që në ndeshjet e para, teksa në javën e 19-të, dy lojtarë që i afruan gjatë javës së fundit te kuksianët dhe ballshiotët ishin protagonistë.
Johnson Oppong Owusu u prezantua te Kukësi të enjten, ndërsa tre ditë më vonë shënoi golin e avantazhit ndaj Tiranës. Sulmuesi ganez debutoi në mënyrën më perfekte tek verilindorët, që morën fitoren e dytë radhazi. Të njëjtin fat pati dhe boshnjaku Mirza Delimexhac, i cili gjithashtu në debutimin e tij i dha tre pikët e Kukësit ndaj Egnatias.
23-vjeçari u aktivizua në të 63-n e shënoi në të 86-n. Dy fitore për Kukësin, që më në fund sheh dritë në fund të tunelit vetëm falë lojtarëve që afroi në merkaton e dimrit. Nga Kukësi në Ballsh, Tomoyuki Doi mund të konsiderohet një rast i veçantë.
Futbollisti japonez u prezantua mëngjesin e së shtunës, ndërsa në mesditë zbriti në fushë dhe shënoi golin e fitores ndaj Kastriotit. Më pak se 20 minuta iu deshën 25-vjeçarit për të realizuar golin e parë në Superiore.
Merkato e dimrit në kampionatin shqiptar më tepër se riparuese shpesh here rezulton vendimtare për klubet shqiptare që nga lojtarët që afrojnë në janar varin fatet e sezonit.
Top Channel