Zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Gent Mullai ka deklaruar se aksioni për heqjen e kamerave të vendosura nga bandat kriminale në shumë qytete të vendit vjen pas një analize për zbërthimin e krimeve të rënda.
Në një lidhje direkte për Top Story, Mullai tha se janë sekuestruar 299 kamera dhe janë marrë nën hetim 50 persona në të gjithë vendin, që do të ndihmojë në luftën kundër krimit.
Zëdhënësi i policisë tha se strategjia e re është hartuar të rritur parametrat e sigurisë dhe e gjithë situata është ende në proces hetimi.
“Për të shuar të gjitha aludimet, dua të them se ky operacion s’ka ndodhur për shkak të një ngjarje kriminale në Shkodër. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka zhvilluar një analizë , e cila ka konsistuar në marrjen e masave për rritjen e sigurisë në vend. U analizuan ngjarjet e vjetra kriminale, kapja e kërkuarve për vepra të rënda kriminale, çfarë do lloj kontrolli detajuar. Goditja e kontrabandës, fusha e narkotikes, krimet mjedisore etj. Nga muaji shtator-dhjetor, ka rritje të fortë të goditjes së policisë. Mbi bazën e kësaj analize u hartua një strategji e re në luftën kundër krimit, ku ishte dhe masat shtesë të sigurisë publike. Ka një keqinterpretim të ligjit të vitit 2016, neni nr.4 në lidhje me të drejtën të vendosjes së kamerave të sigurisë. Kush ka të drejtë dhe si ti vendosë ato. Ne këtë po bëjmë, kontroll për zbatimin e masave shtesë të kontrollit të sigurisë. Kur është hartuar kjo strategji e re janë hequr kamerat. Strategjia e re është hartuar të rritur parametrat e sigurisë. E gjithë situata është nën hetim dhe në proces”- tha zëdhënësi Gent Mullai.
Pyetje: A ka sekuestruar policia ndonjë dvr të këtyre kamerave?
Mullai: Kur të përfundojë hetimi do ta themi këtë, janë pjesë e hetimit. Janë sekuestruar Dvr e kamerave. Serverat janë çuar në prokurori. Aktualisht në të gjithë republikën janë çmontuar 299 kamera, 50 persona të proceduar penalisht.
Pyetje: Nga cili vit ndodhen këto kamerat e sekuestruara?
Mullai: Do ta nxjerrë hetimi këtë, nuk mund të japë asnjë detaj.
Top Channel