Mjalti është një produkt mjaft i ëmbël dhe i veçantë, saqë shpesh e ruajmë dhe e ndajmë me më të shtrenjtit tanë.

Kur na duhet të përzgjedhim mjaltin e duhur për ta shtuar në çaj, ëmbëlsira, apo për të zbutur fytin, përballemi me një mori zgjedhjesh.

Mbledhja e mjaltit nga bletët është vetëm fillimi i një udhe të gjatë që ky produkt bën të arrijë deri tek konsumatori. Si në rastin e ushqimeve të tjera të kohëve moderne, mjalti mund t’i nënshtrohet një sërë përpunimesh që i japin formë shijes, pamjes dhe ruajtjes së mjaltit.

Duhet të dini që 500 gramë mjaltë prodhohet nga nektari i mbi 2 milionë luleve.

Në fakt rreth 70 përqind të produkteve që gjenden në raftet e marketeve në botë, është thjesht mjaltë i përpunuar ose i përzier me shurup misri dhe aditivë të tjerë.

Ka disa arsye përse tregëtarët shesin produkte të tilla. Së pari, mjalti puro dhe i pakulluar ka një ngjashmëri me qumështin e papërpunuar. Në të shpesh gjenden copëza dhe grimca të polenit të bletëve. Ndonëse këto mbetje janë jashtëzakonisht me vlera, në ditët e sotme, pamja e jashtme është e rëndësishme.

Rrjedhimisht, kavanozët e marketit janë të mbushur me mjaltë që ka dalë nga një proçes pasterizimi dhe nxehtësimi. Ky i fundit ngadalëson kristalizimin, e forcon lëngun dhe e bën më të trashë. Për këtë arsye, shumë konsumatorë mendojnë se ky mjaltë është i pastër dhe më i thjeshtë për t’u përdorur.

Cilësia varet jo vetëm nga marka, por edhe nga bleta dhe ushqimi i saj. Lulet luajnë një rol të rëndësishëm në produktin përfundimtar dhe shijen e tij.

Mjalti puro i papërpunuar
Mjalti puro është forma më e pastër e këtij lëngu magjik që prodhohet nga bletët. Ai vjen direkt nga kosheret e kalohet në kavanoz.

Zakonisht merret direkt nga burimi, përpunohet në nivele minimale – që do të thotë pastrohet nga mbetjet e bletëve – dhe është gati për konsum. Nuk i nënshtrohet asnjë proçesi tjetër filtrimi, nxehtësie apo pasterizimi.

Në këtë mënyrë, mjalti në formën e tij më të përqendruar ruan shijen, vlerat, pjalmin dhe propolisin, një substancë ngjitëse që bletët e përdorin në koshere dhe që mund të përtypet si çamçakëz.

Pjalmi përdoret për të ushqyer bletët e reja. Është i mbushur me ushqyes, vitamina, proteina, amino acide, acid folik, karotenoidë, bioflavonoidë etj. Pjalmi ka përfituar statusin e superushqimit, duke qenë se shumë studime kanë pranuar dhe njohur vlerat shëndetësore në luftimin e mykut, mikrobeve, viruseve, kancerit, dhe inflamacionit.

Propolisi gjithashtu përmban vlera kundër tumoreve, ndërkohë që substancat që gjenden në të ndihmojnë në shërimin e plagëve dhe zbrapsjen e baktereve.

Në mjaltin puro gjenden edhe përbërës të tjerë siç janë:

Amylase, një enzimë që ndihmon në tretjen e ushqimeve me bazë niseshte. Kjo do të thotë që nëse lyeni një fetë bukë me mjaltë, do të garantoni një tretje më të shpejtë të saj.

Antioksidantë, në veçanti polifenolë që luftojnë sëmundjet dhe plakjen e përshpejtuar duke ofruar mbrojtje nga dëmet e radikaleve të lira.

Vitamina dhe ushqyes të tjerë, siç janë vitamina C, kompleksi i vitaminave B, kalcium, hekur, magnez, kalium, zink, kopër, mangan dhe selen./AgroWeb

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA