Bashkia e Memphis në SHBA ka publikuar sot pamje të kamerave trupore të policisë, ku shihet dhuna brutale e pesë oficerëve ndaj 29-vjeçarit Tyre Nichols, i cili u rrah për vdekje pasi u ndalua për me automjetin e tij.
Nichols vdiq në spital nga plagët tre ditë pas ngjarjes shokuese të 7 janarit të këtij viti, e cila ka trazuar gjakrat në opinionin publik, për kulturën e dhunës vrasëse të policëve në vend.
Pamjet e kamerave trupore të tre oficerëve dhe një këndvështrim nga makina e policisë, tregojnë se Nichols u qëllua me grushte, me shkelma në fytyrë teksa ishte i rrëzuar në tokë, u godit me shkop gome dhe me spraj djegës.
Në to është regjistruar viktima teksa thërriste për nënën e tij, duke thënë se po shkonte në shtëpi.
“Ja çfarë i bënë djalit tim këto monstra,” tha njerku i Nichols, Rodney Wells, në një intervistë me mediat.
“Djali im peshonte 70 kg, ndërsa secili prej policëve më shumë se 100kg. Ata përdornin një forcë të pajustifikuar ndaj një djali që po kthehej në shtëpi te prindërit”.
Policia nuk ka dhënë shumë argumente për arsyen e ndalimit por thotë se “kur oficerët shkuan për të ndaluar Nichols, ndodhi një “konfrontim” dhe Nichols u largua.
Dhuna ekstreme është përdorur deri në momentin e arrestimit, kur Nichols qëndronte përtokë u palëvizur nga rrahja, prej së cilës nuk u zgjua kurrë.
Nichols ishte dërguar më pas në spital në gjendje të rëndë dhe tre ditë më vonë u nda nga jeta prej plagëve.
Oficerët e përfshirë janë shkarkuar dhe akuzuar për vrasje, ndërsa shkaku zyrtar i vdekjes nuk është publikuar ende.
Top Channel