Prezantuesi i Fox News thotë se SHBA duhet të ‘çliroje Kanadanë nga Trudeau’, jo të dërgojë tanke në Ukrainë (fotot)

28/01/2023 19:39

Prezantuesi i njohur amerikan i Fox News Tucker Carlson tha dje se kryeministri kanadez është në krye të një “qeverie autoritare”.

Prandaj ai sugjeronte në programin e tij televiziv se SHBA duhet të dërgojë trupat e saj në kufirin verior për të “çliruar Kanadanë” nga kthetrat e Justin Trudeau, duke iu referuar izolimeve drastike të vitit të kaluar që e kthyen vendin në nje “Kubë të Amerikës Veriore”.

 Jam plotësisht në favor të një operacioni special ushtarak për çlirimin e atij vendi,” tha ai në episodin e djeshëm të programit të tij ‘Tucker Carlson Today’, duke marrë si shembull operacionin e dështuar të CIA-s për të përmbysur qeverinë kubane në vitin 1961.

“Përse duhet të mbështesim partnerin tonë tregtar me të cilin ndajmë kufirin më të gjatë, duke e lejuar të kthehet në një tjetër Kubë”, pyeste Carlson.

“Ne po shpenzojmë gjithë këto para për të çliruar Ukrainën nga rusët, ç’të keqe ka të dërgojmë ushtrinë në veri për të çliruar Kanadanë nga kryeministri komunist Trudeau”, tha prezantuesi, para se të niste të qeshte duke thënë se ‘kishte folur më shumë se ç’duhet’.


Konservatori Carlson njihet për deklarata e tij të mprehta por prezantuesi i rrjetit Fox është gjithashtu kritik i paepur i liderit aktual të Kanadasë, dhe masave shtypëse të ketij te fundit, mes të cilave ngrirja e llogarive bankare e kamionistëve protestues kundër vaksinimit të detyruar.

Carlson ka thënë më herët: “Justin Trudeau është diktatori Kanadasë. Nëse besoni se po e ekzagjeroj me këtë që po them, gjeni ju një mënyrë tjetër për ta përshkruar për këtë që po bën me kamionistët”.

Ai kritikon gjithashtu administratën Biden për politikën në Ukrainë, teksa Uashingtoni ka shpenzuar rreth 100 miliardë dollarë për ushtrinë dhe ekonominë e Zelensky, teksa prezantuesi insiston se paratë duhet të shpenzohen për ekonominë dhe mbrojtjen e kufijve të SHBA.

FOTO GALERI
1/2
Prezantuesi i njohur amerikan i Fox News Tucker Carlson tha dje se kryeministri kanadez është në krye të një “qeverie autoritare”.

Top Channel