Sulmuesi lë një të vrarë e dy të plagosur në ambasadën azere në Iran ku i ishte zhdukur gruaja e tij muaj më parë (video-foto)

27/01/2023 15:28

Një sulmues i armatosur me një Kallashnikov a bastisur sot ambasadën e Azerbaixhanit në Iran, ku raportohet se ishte zhdukur gruaja e tij vitin që shkoi, duke lënë një të vrarë e dy të plagosur.

Sulmuesi vrau fillimisht rojën e qendrës diplomatike në Teheran dhe më pas tentoi të bënte të tjera viktima për arsye të “problemeve personale e familjare”, tha kreu i policisë vendase  Gen. Hossein Rahimi.

Pamje tronditëse nga kamerat e sigurisë tregonin vrasësin që mësyn ambasadën duke drejtuar armën nga punonjësit e tmerruar.

Ata që ishin brenda tentonin të fshiheshin prapa detektorëve të metaleve, teksa sulmuesi hapte zjarr me flakët që duket nga gryka e armës. Në një moment ai ndjek burrat brenda një zyre të vogël.

Një prej punonjësve me guxim tenton të përleshet me sulmuesin duke i kapur armën.

Një tjetër video e kapur jashtë ambasadës tregon burrin që përplas makinën e tij me një tjetër mjet jashtë ambasadës.

Prokurori iranian Mohammad Shahriari tha se bashkëshortja e sulmuesit ishte zhdukur në prill pas një vizite në këtë ambasadë.

Agjencia vendase Mizan citonte Shahriari të thoshte se sulmuesi besonte se bashkëshortja e tij ishte ende brenda ambasadës, edhe pse kanë kaluar tetë muaj nga ngjarja.

Zyrtarë të Azerbaixhanit thonë se ngjarja po hetohet për ‘sulmin e pabesë’.

Ata shtonin se sulmuesi kishte shkatërruar postin e rojës së ambasadës me automatik, para se të ndalohej nga rojet e plagosura, të cilat raportohen jashtë rrezikut për jetën.

Zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Iranit, Nasser Kanaani, tha se vendi i tij dënonte sulmin e rëndë, i cili po hetohet me prioritet.

Azerbaixhani ka kufi me anën veri-perëndimore të Iranit. Mes dy vendeve ka pasur tensione në lidhje me konfliktin e vjetër Azerbaixhan-Armeni për rajonin Nagorno-Karabakh.

Azerbaixhani ka lidhje me Izraelin, që është armiku kryesor rajonal i Iranit.

Turqia e cila ka lidhje të forta me Azerbaixhanin, dënoi sulmin duke bërë thirrje për nxjerrjen e autorëve para drejtësisë.

FOTO GALERI
4/5
Shenjat e plumbave

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA