Formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është kthyer në nyjën gordiane të rrugës drejt arritjes së një marrëveshjeje, përmes të cilës të garantohet normalizimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës.

Atë e kërkon Serbia, e këshillon me forcë Perëndimore, por ngurron ta pranojë Prishtina zyrtare. në një intervistë dhënë për mediat austriake, eksperti i njohur amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, pretendon se në fakt, krijimi i asociacionit nuk ishte përmendur në versionin e parë të propozimit franko-gjerman, por pas insistimit të Beogradit, vendet e Quintit e kaluan në variantin e dytë të draftit.

Profesori i Universitetit Johns Hopkins thotë gjithashtu se propozimi parashikon që komuniteti serb në Kosovë të financohet drejtpërdrejt nga Serbia. “Është e sigurt se Beogradi mund të përdorë komunitetin për të ushtruar kontroll, ndërsa tashmë ai kontrollon e financon dhe komunat me shumicë serbe përmes Listës Serbe,” tha Server.

Eksperti kritikon faktin se propozimi, siç thotë ai, nuk i referohet Kushtetutës së Kosovës si pikënisje. Kjo Gjykatë i shpalli parimet e planifikuara të Asociacionit si pika që bien në kundërshtim me dokumentin themeltar të vendit. Serwer po ashtu thotë se në propozim nuk përmenden pesë anëtarët e Bashkimit Europian që nuk e kanë njohur Kosovën.

Pavarësisht se i dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak u shpreh optimist një ditë më parë pas takimit të zgjatur me Kurtin mbi këtë cështje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sërish e pohoi më pas se marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, është marrëveshja e vetme e nënshkruar në Bruksel që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese.

Top Channel