Porti i ri i Durrësit, Varhelyi i përgjigjet Alibeajt: Procedurat të jenë transparente dhe në përputhje me standardet e BE

27/01/2023 11:03

Komisioneri i Zgjerimit në Bashkimin Europian, Oliver Várhelyi i është përgjigjur me një letër deputetit Enkelejd Alibeaj në lidhje me Portin e ri të Durrësit dhe Durrës Marina Bay and Yacht në qytetin bregdetar.

Várhelyi thekson se të gjitha prokurimet apo koncesionet, përfshirë dhe marrëveshjet mes shteteve apo palëve të treta duhet të ngrihen mbi parimet e transparencës, garës, trajtimit të barabartë dhe jo diskriminimit, në përputhje me standardet e BE-së.

Zyrtari thekson se Komisioni Europian ka anuluar grantin e mbetur (Fondet Ndërkombëtare për Ballkanin Perëndimor) në lidhe me portin e Durrësit, si ‘rezultat i modifikimit në projekt dhe ndryshimi të përdorimit të portit’- thuhet në letër.

“Komisioni Evropian i kushton rëndësi të madhe përputhshmërisë me MSA-në dhe standardeve të BE-së. Kur bëhet fjalë për marrëveshjet ndërkombëtare me vendet e treta, qëndrimi i Bashkimi Evropian është i qartë dhe ai është thënë vazhdimisht, duke përfshirë edhe Këshillin e Stabilizim Asociimit që u zhvillua në Mars 2021.

Të gjitha instrumentet ligjore dhe financiare të përdorura në fushën e prokurimeve publike dhe koncesioneve, duke përfshirë edhe marrëveshjet e lidhura me vendet e treta për zbatimin e projekteve të përbashkëta, duhet të jenë në përputhje me parimet e transparencës, konkurrencës, trajtimit të barabartë dhe mosdiskriminimit. Komisioni është në konsultime të vazhdueshme me përfaqësuesit e qeverisë për prioritetet e investimeve. Sigurisht që ne i kemi ndjekur nga afër zhvillimet në lidhje me Projekti i Portit të Durrësit. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, aktivitetet e Portit të Durrësit janë planifikuar të zhvendosen në Porto Romano. Si rezultat i modifikimit në projekt dhe ndryshimi të përdorimit të Portit të Durrësit, Komisioni anuloi grantin e mbetur për investimin në këtë projekt specifik.

Komisioni është i gatshëm të mbështesë dhe të akomodojë projekte të mëtejshme investimi në lidhje me projektin e ri komercial të zhvillimit të Porto Romanos nëse kërkohet. Është objektivi ynë i përbashkët për të mbështesin zhvillimin ekonomik të Shqipërisë“, thuhet në përgjigjen për Alibeajn.

Përgjigja vjen disa muaj pasi Enkelejd Alibeaj, iu drejtua me një letër të hapur komisionierit të zgjerimit Várhelyi në lidhje me mungesën e garës për ndërtimin e të ashtuquajturës “Durrës Marina Yacht Project”.

Top Channel