10 ditë përjashtim nga Kuvendi/ Këshilli i Etikës ndëshkon Berishën, Nokën, Këlliçin, Spahon dhe Palokën

27/01/2023 12:06

Kaosi shkaktuar në parlament, seancën plenare të së enjtes, nga deputetët e opozitës me në krye Sali Berishën, siç edhe shumica socialiste e paralajmëroi nuk mbeti pa u ndëshkuar.

Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etiken, shqyrtoi propozimin e  një grupi deputetësh te Partisë Socialiste “Për marrje mase disiplinore ndaj deputetëve të opozitës të cilët me veprimet e tyre penguan zhvillimin normal të seancës.

Pas 60 minuta debatesh në këtë sekretariat me tre vota pro të socialistëve dhe dy kundra të PD-s, deputetët demokratë, Sali Berisha, Flamur Noka, Belind Këllici, Edmond Spaho dhe Edi Paloka, u ndalohet pjesëmarrja në komisionet parlamentare dhe seancat plenare të parlamentit për 10 ditë.

Si kundra përgjigje për paralajmërimin e deputetëve socialist për të ndëshkuar 5 ligjvënësit demokratë,  grupimi deputetëve Alibeaj në PD, depozituan kërkesën për nisjen e procedurës të shkarkimit të kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla.

Motivacioni kësaj iniciative sipas grupimi Alibej lidhet me pretendimin  e tyre se Lindita Nikolla  u hoqi fjalën deputetëve të opozitës dhe nuk thirri kryeministrin Edi Rama në seance siç ata kishin kërkuar.

Pas rikthimit në politikën aktive, kjo është hera e parë për Sali Berishën të ndëshkohet me një përjashtim të tillë 10 ditor.

Gjatë të gjithë legjislaturës të shkuar në mënyrë konstante Sali Berisha, bashkë me deputetët e tij mbështetës,  kanë bllokuar foltoren e parlamentit, duke mos lejuar vijimin normal të seancës.

Sipas tyre, këto veprime janë ndërmarrë pasi kryetarja e kuvendit nuk i ka dhënë minutazhin e duhur Sali Berishës.

Ish kryeministri demokrat, edhe ku ka marrë fjalën  ka tentuar ta tejkalojë minutazhin e paracaktuar për  procedurë apo replikë.

Në të tilla rrethana, i është ndërprerë fjala, por  e ka vijuar duke e transmetuar në Facebook.

Top Channel