Sali Berisha ka akuzuar Edi Ramën se ka dhënë tendera për firmën e një oligarku rus Oleg Deripaska, ndërkohë mësohet se firma ku bën pjesë dhe oligarku rus Oleg Deripaska ka fituar tendera dhe nga qeveria Berisha kur ai ishte kryeministër, në vitet 2007 firma e oligarkut rus ka ndërtuar gjykatën e krimeve të rënda.
Qeveria e Sali Berishës duke nisur nga 2010 deri në 2013 u ka besuar shoqërive të lidhura me oligarkun rus Oleg Deripaska tendera për një vlerë prej 55 milionë eurosh.
Ndërkohë Sali Berisha akuzoi Edi Ramën se i ka dhënë në 2017 shoqërisë Trema Engineering 2, në të cilën është aksioner i tërthortë oligarku, një koncension PPP për hidrocentralin e Shushicës dhe që e njëjta shoqëri e lidhur me oligarkun, kanë fituar gjatë qeverisjes Rama 3 tendera publikë për vlerën 20 milionë euro. Shoqëritë nën akuzë quhen Strabag dhe Trema Engineering 2. Strabag është themeluar në 1929 dhe është shoqëria më e madhe e ndërtimeve austriake me seli qendrore në Vjenë dhe një nga më të mëdhatë në Europë me filiale në të gjithë botën, nga Shtetet e Bashkuara në vendet arabe.
Trema Engineering 2 është një shoqëri shqiptare e themeluar në 2001 pronare e të cilës 100% është Strabag. Skandali sipas Berishës është se një prej aksionistëve të Strabag, dhe si rrjedhojë e Tremës është oligarku rus Oleg Deripaska që zotëron 25.9% të aksioneve të Strabag përmes shoqërisë qipriote Rasteria. Kjo është gjendja të paktën deri në prill të 2022, kur oligarku rus u sanksionua nga Bashkimi Europian, për shkak të luftës në Ukrainë, duke dalë nga pjesëmarrja e aksioneve në Strabag dhe rrjedhimisht edhe nga Trema.
Emri i Oleg Deripaska, bashkëpunëtor i ngushtë i Vladimir Putinit, u bë popullor në Shqipëri këto ditë sepse bëhet fjalë për oligarkun rus, i sanksionuar nga amerikanët që në vitin 2016 dhe Bashkimi Europian në 2022. Për të cilin përfundoi në burg agjenti i FBI-së Charles McGonigal, miku i Edi Ramës me të cilin ka bërë disa takime. Për konçesionin PPP të centralit të Shushicës, Trema Engineering kontrollon 33 % dhe gara është fituar në janar 2017, 9 muaj para se agjenti i FBI-së të takonte për herë të parë Edi Ramën, takim i bërë me 9 shtator 2017.
Dy shoqëritë e kane lidhje me oligarkun kanë fituar 9 gara nga 2010 deri në 2013 për një vlerë totale prej 55 milionë eurosh. Ato janë reabilitime rrugë, ujësjellësa, aeroporte, gjykata e krimeve te renda, si dhe burgu i Fierit.
Top Channel