Kuvendi nuk e ka miratuar kërkesën e grupimit Berisha për mocion me debat me Ramën për çështjen McGonigal.
Seanca plenare e Kuvendit është përfshirë nga tensione të mëdha mes një grupi deputetësh demokratë, kryetares së Kuvendit dhe maxhorancës.
Berisha ka bllokuar foltoren bashkë me deputetët e tjerë.
Berisha: Skandali shpërtheu në aeroport, i cili akuzohet se në raport me kryeministrin e Shqipërisë ka fshehur, ka manipuluar, ka falsifikuar dokumente, akuzohet se ky njeri i pafytyrë, pa karakter që ka shkelmuar interesat e vendit ka marrë porosi me para nga zyra e kryeministrit shqiptar për të hetuar lobimin e opozitës. Jemi këtu ne, ne qëllojmë sot edhe deri pasnesër në drekë, sepse ky kryeministër ka kryer një krim të shëmtuar, ka keq shfrytëzuar një njeri pa karakter pa moral, në vend që ta denonconte e ka përdorur kundër opozitës, për manipulime, kjo ndodh vetëm në Kore të Veriut, në Venezuelë, shqiptarët duhet të marrin vesh të vërtetën, Edi Rama të vijë këtu ose të shpallë dorëheqjen dhe të dëshmojë në SHBA. A e dini se cili është, se cili është funksioni i tij që i çuat paratë e kompanive të oligarkut rus, a e dini se Deripaska i ka tentakulat e ekonomisë shqiptare, a e dini se Damiani është zëdhënës i ekonomisë ruse në Shqipëri.
Balla: Mendoj që vendosja e rregullit është një prej çështjeve, sa i përket, vjen në këtë moment për të shmangur vëmendjet nga faktet e reja tronditëse që kanë dalë lidhur me vrasjet e 21 janarit, çështja që i referohet ‘non grada’ i madh është çështje që po hetohet. Një mik edhe I zotit Berisha se ç’vijnë nga e njëjta zonë, në thelb problem lidhet se sa e ka zbatuar detyrën e tij zyrtari i Amerikës. Nuk ka lidhje me hetimet e drejtësisë amerikane.
Berisha: Turp të keni , ka interesa kombëtare këtu.
Në kërkesën drejtuar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikollës, 16 deputetët demokratë kërkuan ndryshim rendi të ditës në Kuvend.
Sipas grupimit Berisha, në padinë e ngritur ndaj McGonigal pranë Gjykatës së Distriktit të Kolumbias renditen një sërë faktesh që lidhen me të paktën 5 takime të fshehta të zhvilluara mes kryeministrit Rama dhe McGonical, në praninë e dy personave të tjerë që kanë bashkëpunuar dhe vepruar në emër të Ramës, përfshirë përmes mitmarrjes së shumës së 225 mijë dollarëve për të ndikuar në zhvillimet e brendshme politike në Shqipëri.
Nga ana tjetër, Rama është shprehur se nuk asnjë padi ndaj tij dhe se drejtësia amerikane s’mund të kontestohet nga vetëgjyqësia e Foltores apo vulës. Sipas kreut të qeverisë, opozita po e përdor për interesa të saj.
Arrestimi i ish-shefit të kundërzbulimit të FBI-së në Nju-Jork, Charles McGonigal ka shkaktuar një furtunë në mediat amerikane por jo vetëm.
Dy ditë më parë u bë e ditur se në Neë York është arrestuar ish-shefi i kundërzbulimit të FBI me akuza të rënda se ka mbështetur një oligark rus të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe se ka marrë ryshfet nga një ish-agjent i shërbimit sekret shqiptar. Charles McGonigal ka punuar për sektorin e kundërzbulimit të FBI-së, derisa u largua nga FBI-ja në shtator të vitit 2018 dhe ndër të tjera mbulonte edhe Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën.
Ai akuzohet se ka marrë 225 mijë dollarë nga një ish-punonjës i shërbimeve sekrete të Shqipërisë dhe ka zhvilluar një sërë takimesh me biznesmenë dhe politikanë në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnje, por pa i raportuar ato sipas rregullave.
Top Channel