Çështja McGonigal shkakton tensione në Kuvend/ Deputetët e PD bllokojnë foltoren, mbyllet seanca

26/01/2023 11:55

Seancë e pazakontë plenare u zhvillua këtë të enjte, ndërsa deputetët e PD-së bllokuan foltoren.

Projektligjet u miratuan, ndërsa nga ana tjetër demokratët morën fjalën njeri pas tjetrit live në rrjete sociale.

Pas kësaj situate, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla mbylli seancën plenare, e cila nuk dihet ende n%se do të nisë sërish.

Kjo situatë u shkaktua pasi Kuvendi nuk e miratoi kërkesën e grupimit Berisha për mocion me debat me kryeministrin Edi Rama për çështjen McGonigal.

Berisha nuk ka pranuar të largohet edhe pse u përjashtua nga seanca plenare, pas bllokimit të foltores.

“Turp!”, dëgjohet të thonë deputetët njëzëri, ndërsa kërkojnë praninë e Ramës në Kuvend.

Jashtë Kuvendit, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së,  Enkelejd Alibeaj tha se Rama duhet të japë llogari.

Alibeaj: Kërkesa ime ka të bëjë me thirrjen për të qenë prezent Rama që është stërmbullari i një veprimi korruptiv. Duhet të japë sqarimi më së pari në Parlament dhe është i detyruar të jetë prezent. Duhet të japë llogari! Pyetja që shtrohet është fare e thjeshtë: Ku e keni fshehur Edi Ramën?!

Berisha jashtë Kuvendit tha se Rama është sot njeriu më i inkriminuar në Europë.

Berisha: Parlamenti refuzon kërkesën më legjitime për t’i kushtuar rendin e ditës një çështje që ka tronditur gjer në palcë vendet e lira. Imagjinoni ju se në çfarë afere është e implikuar Shqipëria. Imagjinoni ju se si ky kryeministër ka vënë në rrezik sigurinë e SHBA, sigurinë e NATO-s, sigurinë e botës së lirë. Imagjinoni ju një vrasës me pagesë që merr para nga kryeministri për të vrarë opozitën shqiptare. Ne këtë nuk e kalojmë. Edi Rama është sot, njeriu më i inkriminuar në Europë dhe më gjerë.  Unë kam bindjen më të thellë, se drejtësia amerikane do të thotë fjalën e saj ndaj këtij krimineli. Por para saj duhet të flasin shqiptarët, duhet të flasë parlamenti, duhet të flasin qytetarët. MEdi Rama, me dy bashkëpunëtorë, ka trajtuar si aset privat, shefin e kundërinteligjencës së FBI, njeriun përgjegjës për të zbuluar, vëzhguar dhe ndjekur rrjetet e spiunazhit në SHBA, por edhe në emër të vendeve të tjera.

Jemi në situatën më të pazakontë që kemi qenë ndonjëherë si vend. Vetëm një betejë e gjithanshme është shpëtimtare për Shqipërinë. Edi Rama ka përdorur McGonigal si vrasës me pagesë për të manipuluar, falsifikuar, trilluar kundër opozitës shqiptare. Kjo përbën një mega-krim, një krim ndërkombëtar, për të cilin ne do kërkojmë nga autoritetet amerikane që t’i japin dënimin më të rëndë. Ju duhet ta dini edhe se Deripaska është një nga kompanitë sot, edhe sot që flasim, më prezente në Shqipëri.

Është një nga kompanitë me të cilat ka përfituar statusin e investitorit strategjik, ka përfituar koncesione, ka përfituar tendera nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Deripaska është miku numër një i Vladimir Putinit, rekrutuesi me korrupsion i Charles McGonigal. A u takua Rama, McGonigal dhe Deripaska? A drekuan apo darkuan së bashku? Këto do i sqarojë drejtësia. Por një gjë është e sigurt, se Edi Rama me të gjitha qëndrimet e tij, del agjent influent rus.

Edi Rama nuk ishte i verbër, nuk ishte pa eksperiencë. Veprimet e tij me McGonigal i ka bërë për llogari të asaj fuqie të NATO-s dhe SHBA. Edi Rama nuk ka fshehur në asnjë rast qëndrimet e tij pro-ruse duke mbrojtur qëndrimet e Vuçiç ndaj embargos ruse. Ne jemi këtu për të deklaruar se ky parlament nuk zhvillon më punime pa u ndalur te spektri i kësaj afere të tmerrshme që ka tronditur Shqipërinë dhe ka goditur rëndë në opinionin publik amerikan dhe botëror. Nuk ka më paqe në këtë vend pa u zgjidhur këto probleme. Largimi i Edi Ramës është kushti i të gjitha kushteve. Kjo e ka përshpejtuar mbajtjen e protestave. Opozita do të qëndrojë deri në fund, kjo e ka përshpejtuar.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha jashtë Kuvendit se kërkesa për mocion me debat nga opozita e Berishës nuk u pranua, pasi duhej sipas rregullores së parlamentit.

Balla tha se akuzat nga opozita janë për të mbuluar lobimin me paratë ruse dhe provat e reja për tragjedinë e 21-janarit. Ai shtoi se kur të ndiqet procedura sipas rregullores së Kuvendit, kërkesa e opozitës për mocion do të merret parasysh.

Balla: Biem të gjithë dakord, situata sot lidhet me një zhvillim tjetër, atë të thirrjes në SPAK të djalit të ish-kryeministrit Berisha. Ju e mbani mend që në janar të 2019, kur Berisha ishte njohur me faktin që në SHBA kishte filluar procedura e shpalljes së tij non-grata, e njëjta situatë ndodhi në Kuvendin e Shqipërisë. Vlerësoj se znj.Nikolla ka bërë vendimin e duhur. Jemi gjendur para disa shkeljeve të rënda të shkeljes së rregullores së z.Berisha dhe deputetëve të tjerë. Do duhet që sekretariati për rregulloren të mblidhen për marrjen e një mase më të lartë disiplinore për deputetët që pengojnë zhvillimin e seancës. Kjo e sotmja ishte tepër e rëndësishme, do të miratonte aktin normativ, prej së cilit qeveria mundësoi pakon e madhe të mbështetjes për ata që janë prekur nga inflacioni i luftës së Putinit, pensionistët, familjet me ndihmë ekonomike. Seanca bllokohet sepse duan të heqin vëmendjen nga provat e reja të 21-janarit. Një kërkesë ka një procedurë, merreni rregulloren e Kuvendit, nëse njëri prej jush gjen në rregullore, unë kërkoj ndjesë. Këtu ka një përpjekje që me forcë, duhet ta marrësh me forcë. Një kurth për të hequr vëmendjen nga loja me paratë ruse dhe provat e reja të 21-janarit, ta harrojë Sali Berisha. Unë mendoj se ky është hetim që po zhvillohet mr SHBA, ka vetëm një person. Në momentin që kërkesa do të vijë sipas rrugëve procedural, do merret në shqyrtim. Ajo që dua t’ju them, sa herë kërkesa të ketë firmën e Berishës, do të rrëzohet.

Në kërkesën drejtuar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikollës, 16 deputetët demokratë kërkuan ndryshim rendi të ditës në Kuvend.

Sipas grupimit Berisha, në padinë e ngritur ndaj McGonigal pranë Gjykatës së Distriktit të Kolumbias  renditen një sërë faktesh që lidhen me të paktën 5 takime të fshehta të zhvilluara mes kryeministrit Rama dhe  McGonical, në praninë e dy personave të tjerë që kanë bashkëpunuar dhe vepruar në emër të Ramës, përfshirë përmes mitmarrjes së shumës së 225 mijë dollarëve për të ndikuar në zhvillimet e brendshme politike në Shqipëri.

Nga ana tjetër, Rama është shprehur se nuk asnjë padi ndaj tij dhe se drejtësia amerikane s’mund të kontestohet nga vetëgjyqësia e Foltores apo vulës. Sipas kreut të qeverisë, opozita po e përdor për interesa të saj.

Arrestimi i ish-shefit të kundërzbulimit të FBI-së në Nju-Jork, Charles McGonigal ka shkaktuar një furtunë në mediat amerikane por jo vetëm.

Dy ditë më parë u bë e ditur se në Neë York është arrestuar ish-shefi i kundërzbulimit të FBI me akuza të rënda se ka mbështetur një oligark rus të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe se ka marrë ryshfet nga një ish-agjent i shërbimit sekret shqiptar. Charles McGonigal ka punuar për sektorin e kundërzbulimit të FBI-së, derisa u largua nga FBI-ja në shtator të vitit 2018 dhe ndër të tjera mbulonte edhe Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën.

Ai akuzohet se ka marrë 225 mijë dollarë nga një ish-punonjës i shërbimeve sekrete të Shqipërisë dhe ka zhvilluar një sërë takimesh me biznesmenë dhe politikanë në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnje, por pa i raportuar ato sipas rregullave.

FOTO GALERI
1/18

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA