Microsoft thotë se ka anuluar një “ndryshim në rrjet”, për të cilin mendon se mund të jetë shkaktari i problemeve që hasën dhjetëra mijëra përdorues në mbarë botën të cilët nuk arrinin dot të kishin qasje në shërbimet e tij, duke përfshirë këtu Teams dhe Outlook.
Downdetector, i cili gjurmon ngërçet me faqet e internetit, sqaroi se mbi 5,000 vetë në Mbretërinë e Bashkuar raportuan këtë mëngjes se emailet e Outlook nuk funksiononin. Jashtë funksionit kanë qenë po kështu edhe sisteme të tjera si Xbox Live.
Sipas Microsoft, disa përdorues kanë raportuar tani se situata i është rikthyer normalitetit. Kompania megjithatë po vazhdon monitorimin me qëllimin që të rekuperohet i gjithë shërbimi sa më parë. Ka ende persona që raportojnë probleme te Downdetector, edhe pse numri i përgjithshëm i tyre në mbarë botën, është reduktuar tani në disa qindra.
Më herët ishte thënë se bllokimi kishte ardhur si pasojë e “disa vështirësive me konfigurimin e rrjetit”. Firma po verifikon edhe një problem të shfaqur me sherbimin e saj cloud, Azure, mbi të cilin mbështeten mjaft biznese për produktet e tyre. Microsoft Teams sakaq përdoret nga më shumë se 280 milionë njerëz në mbarë botën, kryesisht për telefonata, takime dhe organizime të ndryshme.
Top Channel