Arrestimi i zyrtarit të FBI dhe lidhjet me Shqipërinë, Gjiknuri: Tymnajë për të sfumuar provat për 21 janarin

25/01/2023 10:56

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, i cilësoi qesharake të gjitha lidhjet që opozita i ka bërë çështjes së arrestimit të zyrtarit të lartë të FBI në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me Shqipërinë, Charles McGonigal.

I pyetur nga gazetari i TCH Muhamed Veliu për akuzat e opozitës, Gjiknuri tha se janë ‘tymnajë e fortë nga opozita për të sfumuar ngjarjet e fundit’ dhe se zyrtari i lartë akuzohet për lidhje të tij me një oligark rus, jo për lidhjet me Shqipërinë.

Nisur nga faktet dhe çfarë kemi lexuar, kjo është një tymnajë e fortë nga opozita për të sfumuar këto ngjarje dhe faktet e reja që kanë dalë për 21 janarin. Nuk ka krim më të rëndë sesa vrasja e qytetarëve të pafajshme, në shume vende quhet gjenocid. Mendoj se drejtësia amerikane e ka zbardhur atë çështje, kemi të bëjmë me drejtuesin e zyrës në New York. Do të thotë që ka qenë shumë i rëndësishëm dhe akuzohet për lidhje të tij me një oligark rus, nuk ka lidhje me Shqipërinë. Ai ka pasur thyerje të etikës për mosdeklarimin të kontakteve që ka pasur. Paratë e marra nga zotëria në fjalë kanë burim rus, Partia Demokratike me paratë ruse, kjo është provë e faktuar. Problemi është sa drejtë e ka zbatuar një zyrtar i lartë, nuk ka lidhje me takimet zyrtare. Ky lajm nuk ka lidhje me gjërat e Shqipërisë por me SHBA, mos t’i bëjmë historitë si Sali Berisha. Janë nga ato filmat thriller, na dilka që ky komplot na u bëka nga zyra e Edi Ramës, histori qesharake. Vetëm në mendjen e Berishës ndodhin këto, Berisha kthehet në rusofob, çdo ngjarje e lidh me Edi Ramën dhe Rusinë, por në thelb mund të jetë rusofil. Megjithatë kjo është sindromë filozofike që u takon të tjerëve ta studiojnë. Si i mbyturi që kapet pas fijes së kashtës kur e ka marrë lumi i historisë“, tha Gjiknuri.

Një ditë më parë u bë e ditur se në New York është arrestuar ish-shefi i kundërzbulimit të FBI me akuza të rënda se ka mbështetur një oligark rus të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe se ka marrë ryshfet nga një ish-agjent i shërbimit sekret shqiptar. Charles McGonigal ka punuar për sektorin e kundërzbulimit të FBI-së, derisa u largua nga FBI-ja në shtator të vitit 2018 dhe ndër të tjera mbulonte edhe Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën.

Ai akuzohet se ka marrë 225 mijë dollarë nga një ish-punonjës i shërbimeve sekrete të Shqipërisë dhe ka zhvilluar një sërë takimesh me biznesmenë dhe politikanë në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnje, por pa i raportuar ato sipas rregullave.

Top Channel