Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në një konferencë për media është shprehur, se Serbia do të përballet me pasoja të rënda, nëse nuk bie dakord me propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se pesë diplomatët perëndimorë gjatë vizitës në Beograd, i kanë thënë, se nëse Serbia nuk e pranon planin franko-gjerman, atëherë vendi do të përballet me pasoja të rënda. Bllokim në integrim evropian, ndalim të investimeve dhe masa gjithëpërfshirëse, politike dhe ekonomike. Të premten e javës së shkuar, pesë diplomatët perëndimorë, i dërguari evropian për dialogun Miroslav Lajçak, ai amerikan Gabriel Escobar dhe të dërguarit e Francës, Gjermanisë dhe Italisë, nga Prishtina udhëtuan për në Beograd, ku në të dyja qendrat e bënë të qartë këmbënguljen e tyre për një marrëveshje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi.
Vuçiq: Nuk ka përparim drejt BE nëse nuk bashkëpunojmë
Presidenti serb Vuçiç, para qytetarëve serbë tha se, “në fjalinë e dytë më është thënë se duhet ta pranoni këtë plan. Në rast të mospranimit, Serbia do të përballet me, ndërprerjen e proceseve integruese, ndërprerjen dhe tërheqjen e investimeve dhe me masat gjithëpërfshirëse politike dhe ekonomike që do ta dëmtojnë Serbinë”, tha Vuçiç. Sipas Presidentit të Serbisë, “plani de fakto u shndërrua si kornizë e re e bisedimeve të Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe nuk do të ketë asnjë përparim nëse nuk bashkëpunojmë për këtë”.
Sipas Vuçiq, “ky plan është plan i të gjitha vendeve të bllokut, përfshirë edhe atyre që nuk e njohin Kosovën”, tha Vuçiq, duke shtuar se në rast të refuzimit, “për pak ditë do të hiqej regjimi i udhëtimit pa viza dhe do të ndërpriteshin investimet”. Presidenti serb vuri në pah siç tha “mosfuqinë”, e Serbisë për ta përballuar presionin ndërkombëtar dhe bëri një krahasim me vitin 1999 kohën e bombardimeve të NATO-os mbi objektivat serbe. “Millosheviçi kishte besuar se asnjë bombë e NATO-s nuk do të bjerë, sepse ata përreth i kishin thënë se kjo nuk do të ndodhte dhe iu deshën disa ditë për ta kuptuar se bombat po binin nëpër Serbi”, tha Vuçiq duke iu referuar bombardimeve të NATO-s mbi forcat serbe, pasi Beogradi refuzoi marrëveshjen e mbështetur nga perëndimi në vitin 1999.
Vuçiq tha se “nuk kemi nënshkruar asgjë, vetëm jemi përballur me fakte. Asgjë nuk do të ndodhë as sot, as nesër, as pas një apo tre muajsh. Por kur të jemi para kërkesave përfundimtare, Kuvendi i Serbisë dhe populli do të deklarohen”, tha Presidenti serb, duke kërkuar zgjidhje kompromisi me Kosovën.
Kurti kundër asociacionit një-etnik
Vuçiq insiston në themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, por, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, është shprehur kundër një asociacioni njëetnik. “Çështja e Asociacionit mund të trajtohet në kuadër të marrëveshjes përfundimtare me Serbinë dhe se ajo nuk mund të bëhet një mekanizëm një-etnik sepse nuk është në frymën e Kushtetutës së Kosovës”, ka deklaruar më herët kryeministri Kurti. Ai rithekson se “propozimi evropian është bazë e mirë për diskutime të mëtejme”, por nuk komenton shumë kërkesën e vendosur nga diplomatët perëndimorë për Asociacionin e komunave serbe.
Plani franko-gjerman nuk përmend njohjen e ndërsjellë
Plani franko gjerman në kuadër të një marrëveshje Kosovë-Serbi, pjesë të të cilit publikuan mediet në Prishtinë, parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë. Në dokument nuk përmendet njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Prishtina zyrtare insiston që në qendër të planit duhet të jetë njohja e ndërsjellë.
Të hënën i ngarkuari i BE për politikën e Jashtme, Josep Borrell, informoi ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së lidhur me zhvillimet e fundit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, dhe tha se pret përkushtim serioz dhe gatishmëri nga Kosova dhe Serbia për ta çuar përpara propozimin evropian. “Theksojmë se përparimi në këtë proces mund të sjellë përfitime të konsiderueshme për të dyja palët. Unë vlerësoj se është mënyra e vetme për të ndalur këtë rreth vicioz të krizave në terren dhe për të zbutur rrezikun e përshkallëzimit të mëtutjeshëm”, tha Josep Borrell. Plani franko gjerman, apo siç parapëlqen Borrell ta quajë ‘propozimi evropian’, parasheh zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të deritashme të arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ku përfshihet edhe Asociacioni i Komunave me shumicë serbe./ DW
Top Channel