7 drejtues mjetesh janë arrestuar në Elbasan ndërsa 21 leje drejtimi janë pezulluar.
Nga kontrrollet e shtuara në akset rrugore të qarkut, të arrestuarit akuzohen për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Ndërsa nga 21 lejet e pezulluara të drejtimit 18 janë hequr për tejkalim të normave të shpejtësisë dhe 3 për drejtim të mjetit nën ndikimin e alkoolit.
Shkeljet përfshijnë gjithashtu edhe përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të mjetit.
“DVP Elbasan/ Policia Rrugore vijon kontrollet intensive në të gjitha akset rrugore të qarkut të Elbasanit, për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore. Kontrollet e shtuara kanë për qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të Kodit Rrugor, që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore. Gjithashtu, shërbimet e Policisë Rrugore angazhohen çdo ditë, në akset rrugore në afërsi të shkollave, me qëllim normalizimin e trafikut dhe parandalimin e ngjarjeve rrugore. Gjatë një jave, si rezultat i kontrolleve të shtuara në kuadër të masave për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, duke përdorur pajisjet logjistike bashkëkohore, nisur dhe nga denoncimet e qytetarëve, për shkelje të ndryshme rrugore: -janë arrestuar 7 drejtues mjetesh , për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”; -janë pezulluar 21 leje drejtimi, nga të cilat 18 për tejkalim të normave të shpejtësisë dhe 3 për drejtim të mjetit, nën ndikimin e alkoolit. Kontrollet vijojnë në çdo aks rrugor. Policia Rrugore e Elbasanit apelon për drejtuesit e mjeteve që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të shmangin përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit dhe drejtimin e mjetit, nën efektin e alkoolit. Ftojmë të gjithë qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, duke iu garantuar reagim të shpejtë”, sipas njoftimit të policisë.
Top Channel