Takimi gjermano-francez u pasua nga një deklaratë me synime të mira, por që duhet të konkretizohet. Të dyja palët u shprehën të vendosura që të bashkëpunojnë, shkruan Auron Dodi.
Të dielën (23.01.), Gjermania dhe Franca kremtuan në Paris përvjetorin e Traktatit të Elizesë, të nënshkruar 60 vjet më parë nga kancelari Konrad Adenauer dhe presidenti Charles de Gaulle. Nevoja për të demonstruar harmoni dhe unitet ishte e madhe, pas anulimit në 26 tetor në minutën e fundit nga Emmanuel Macroni të takimit të rregullt midis dy qeverive.
Kjo u konsiderua si shenjë e acarimit të skajshëm të marrëdhënieve dypalëshe. Pasi pikërisht mekanizmi i konsultimit, i parashikuar nga Traktati i Elizesë në vitin 1963 rezultoi si element kyç për ta vendosur dialogun midis dy vendeve në një bazë të vazhdueshme dhe të pavarur nga problemet e politikës ditore. Kuadri i kontakteve institucionale afroi për dekada Francën me Gjermaninë dhe i dha një shtysë të rëndësishme afrimit të Evropës.
Por lufta në Ukrainë nxorri në pah konfliktet midis dy vendeve, në fushën e mbrojtjes dhe armatimit, për sa i përket kursimeve dhe energjisë, si dhe në organizimin e Bashkimit Evropian.
Në këtë situatë, edhe 60 vjet pas Traktatit të Elizesë, në qendër të vëmendjes ishte sërish pajtimi. Deklaratat e kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe të presidentit francez Emmanuel Macron në ceremoninë kryesore në Universitetin Sorbone të Parisit nuk lanë dyshim se të dy liderët e dëshirojnë me çdo kusht vazhdimin e miqësisë tradicionale, me të cilën lidhet Traktati i Elizesë.
Vendosmëri për bashkëpunim me një metaforë industriale dhe një fjalim lirik
Vlerësimin e sinqertë për marrëdhëniet me Francën, kancelari gjerman e shprehu me një “metaforë industriale”, siç u cilësua ajo në televizonin francez. Scholzi nuk i mohoi fërkimet e vitit të kaluar me Francën, por la të kuptojë se nuk ka marrëdhënie cilësore pa probleme.
Ai tha se “motori gjermano-francez” nuk ecën “vetëm atëherë mirë, kur rrotullohet qetësisht e mezi perceptohet.” Ky motor është me të vërtetë “një makinë kompromisi – e vajosur mirë, por edhe ndonjëherë e zhurmshme dhe me gjurmë të punës së palodhur”. Ajo nuk e merr forcën e saj lëvizëse “nga butësia dhe simbolika boshe, por nga vullneti ynë i vendosur për të transformuar vazhdimisht polemika dhe interesa diverguese në veprime me të njëjtin drejtim”. Kancelari gjerman tha se karakteri vërtet i jashtëzakonshëm, unik” i motorit qëndron në këtë aftësi për të gjetur kompromise.
Një të ardhme të mirë, secili nga vendet ka “vetëm me tjetrin në anën tonë – si mik e partner të ngushtë, si çift vëllazëror”.
Më parë, kancelari gjerman e kishte falënderuar Francën për miqësinë e saj. “Faleminderit zoti President – faleminderit me gjithë zemër”, tha Scholzi në frëngjisht . Ai falënderoi gjithashtu francezët: “Faleminderit, vëllezërit dhe motrat tona franceze, për miqësinë tuaj”.
Presidenti francez Emmanuel Macron ishte romantik në përshkrimin e miqësisë franko-gjermane. “Të flasë për Gjermaninë, për një francez do të thotë të flasë për një pjesë të vetes”, tha ai. Macroni e quajti marrëdhënien me Gjermaninë “një plebishit të përditshëm”, një parafrazim i deklaratës së shkrimtarit Ernest Renan, me të cilën ai ka përshkruar ndjenjën e përkatësisë së francezëve te kombi i tyre.
Gjermaninë dhe Francën Macroni i përshkroi duke cituar shkrimtarin gjerman Klaus Mann. Të dyja vendet “janë dy shpirtra, të cilët nuk ngjajnë dhe që nuk kanë të njëjtën histori, por që rrahin në të njëjtin gjoks”.
Për ta kryer takimin e radhës në Paris, kancelari Scholz udhëtoi në Paris thuajse me të gjithë kabinetin qeveritar si dhe me një numër të madh parlamentarësh. Qeveria gjermane mban vetëm me Francën takime të kabineteve të plota qeveritare të të dyja vendeve. Në Paris ishin të gjithë ministrat e qeverisë gjermane, me përjashtim të ministrit të Punës Hubertus Heil.
Pesha e Gjermanisë në botë ka ndryshuar nga koha kur u nënshkrua Traktati i Elizesë
Kancelari gjerman kujtoi se 60 vjet më parë përpjekjet synonin të shmangnin një luftë midis shteteve të Evropës. Sot përpjekja bëhet për ta mbrojtur “rendin evropian të paqes…nga forcat centrifugale të brendshme, por para së gjithash nga kërcënimet e jashtme.”
Miqësia mes Gjermanisë dhe Francës sot duket diçka normale. Por ajo mbetet një mrekulli që kërkon kujdes të vazhdueshëm.
Pesha e Gjermanisë në Evropë dhe botë sot ka ndryshuar nga koha kur u nënshkrua Traktati i Elizesë. Gjermania është bërë pas ribashkimit fuqia më e madhe ekonomike e Evropës, ashtu siç ishte para Luftës së Dytë Botërore. Qeveria e re gjermane tregon vullnet më të qartë për të drejtuar në Evropë. Në këtë situatë, ndonjë “shpjegim i botës” që bëhet me dëshirë nga Parisi për Gjermaninë njësoj si para ribashkimit gjerman, si p.sh. vërejtjet e vazhdueshme franceze se modeli ekonomik gjerman ka arritur në fundin e tij, çojnë vetëm në distancim të dy partnerëve.
Zyrtarë gjermanë dhe francezë u thanë mediave se takimi tregoi se të dyja vendet kishin arritur të zgjidhin tensionet disamujore për çështje të ndryshme, si projektet e përbashkëta të mbrojtjes ose reagimi ndaj ndërprerjes së furnizimit me gaz të Evropës nga Rusia. Por synimet e mira të deklaruara presin të konkretizohen.
Në deklaratën përfundimtare të takimit, Gjermania dhe Franca zotohen të forcojnë “lidhjet…në të gjitha fushat”, veçanërisht në kontekstin e luftës së agresionit rus kundër Ukrainës.
Për bashkëpunimin ushtarak, pas dakordimit në dhjetor midis koncerneve të aeronautikës Dassault dhe Airbus për fazën tjetër të projektit të sistemit të armatimit ajror FCAS, në Paris u shpreh vullneti politik për të ecur përpara në ndërtimin e një tanku të përbashkët të së ardhmes, në sistemin luftarak tokësor. “Përveç projekteve të mëdha të armatimit, ne jemi dakord të intensifikojmë punën e përbashkët në fushat e kibernetikës dhe hapësirës”, shkruhet në deklaratë.
Në fushën e energjisë, të dyja vendet angazhohen të forcojnë pavarësinë energjetike të Evropës dhe luftën kundër ndryshimeve klimatike, siç është zhvillimi i energjisë së hidrogjenit. Në këtë kuadër, të dyja palët ranë dakord që të shqyrtojnë si mund të shtrihet në Gjermani një tubacion hidrogjeni që do të ndërtohet midis Spanjës dhe Francës, i njohur si H2Med.
Ky tubacion prej 450 km do të ndërtohet nën ujë deri në vitin 2030 midis Barcelonës dhe Marsaille-s. Plani i mëparshëm për të transportuar në Gjermani gaz nga Spanja dhe Portugalia me projektin Midcat nuk avancoi, për shkak të bllokadës franceze.
Presidenti francez Macron kërkoi që Gjermania dhe Franca të jenë pionierët e rithemelimit të Evropës. “Gjermania dhe Franca, sepse kanë hapur rrugën e pajtimit, duhet të bëhen pionierë të rithemelimit të Evropës sonë”, tha Emmanuel Macron.
Ai kujtoi se gjatë një takimi në Versajë marsin e kaluar, BE ishte angazhuar për të reduktuar varësitë strategjike në fushat e energjisë, atë ushtarake dhe të ushqimit.
Kancelari Scholz iu referua zgjerimit të domosdoshëm të BE dhe nevojës për të reduktuar të drejtën e vetos në vendimet brenda Bashkimit Evropian./ DW
Top Channel