Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës pritet të diskutojë tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, në seancën e saj dimërore që nis sot e zgjat deri në 27 janar.

Njoftimi përcillet në faqen e Asamblesë, ku theksohet se ka pasur një kërkesë për debati mbi aktualitetin me temën ‘Tensionet e fundit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit’, pavarësisht faktit se tema kryesore e diskutimeve është një debat urgjent mbi aspektet ligjore dhe të të drejtave të njeriut të agresionit të Federatës Ruse kundër Ukrainës, me pjesëmarrjen e Oleksandra Matviichuk, Kryetare e Qendrës për Liritë Civile dhe laureate e Çmimit Nobel për Paqen 2022.

Kjo do të jetë ndër pikat kryesore të seancës plenare të dimrit. Fjalime pritet të mbajnë dhe kryeministrja e Islandës, Katrin Jakobsdóttir, si dhe Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock. Debati mbi Kosovën në Këshillin e Europës vjen në një kohë kur diplomatët europianë e amerikanë e kanë shtuar ndjeshëm presionin për rifillimin e negociatave Kosovë-Serbi më në fokus arritjen e një marrëveshjeje finale mes palëve.

Situata e pazgjidhur mes tyre shihet si burim i rrezikshëm paqëndrueshmërie në Ballkan në një periudhë të ndjeshme në Europë për shkak të agresionit rus në Ukrainë. Ata konsiderojënse propozimi europian, i njohur si nisma franko-gjermane për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve është rruga më e mirë për një paqe të qëndrueshme.

Top Channel