Ministrat e BE-së mblidhen për Malin e Zi: Plotësoni Gjykatën Kushtetuese!

23/01/2023 14:04

Mali i Zi është kthyer në shqetësimin kryesor të momentit për Bashkimin Europian.

Kriza e krijuar në vend është një prej temave kryesore të diskutimit në takimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel. Podgoricës i është bërë thirrje që situatën aktuale politike ta kapërcejë vetëm me mjete kushtetuese, në mënyrë që shteti kandidat të mund të vazhdojë rrugëtimin në procesin e integrimeve europiane.

Për gjendjen atje, pritet të raportojnë së bashku ministrja e Jashtme e Sllovenisë Tanja Fajon dhe ministri i Jashtëm i Austrisë Alexander Schallenberg, të cilët e vizituan dhe vetë Malin e Zi në emër të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Zyrtarët e BE-së thonë se liderëve politikë malazezë u është dërguar mesazhi i qartë se ngërçi mund të zgjidhet vetëm me mjete ligjore, duke kërkuar edhe zgjedhjen e dy gjykatësve, në mënyrë që të funksionalizohet Gjykata Kushtetuese, si parakusht për zhvillimin e zgjedhjeve të rregullta e të lira.

Mali i Zi është konsideruar vendi lideri nga rajoni i Ballkanit Perëndimor në procesin e negociatave të anëtarësimit në BE. Por, problemet e brendshme politike kanë ndikuar që procesi të ngadalësohet. Madje, disa burime diplomatike në Bruksel pohuan se i gjithë procesi mund të ndalojë nëse nuk sigurohet sundimi i ligjit dhe vënia në funksion e Gjykatës Kushtetuese.

Top Channel