Një anketim i ri tregon se 64% e amerikanëve mendojnë se mënyra se si Presidenti Joe Biden veproi me dokumentat e klasifikuara është “e papërshtatshme”.
Rezultatet e anketimit të kryer nga kanali ABC në ShBA dhe kompania Ipsos u publikuan ndërsa dokumenta të tjera të klasifikuara u gjendën në rezidencën e Presidentit Biden.
Një seri shënimesh dhe gjashtë dokumenta të tjera të klasifikuara u gjendën nga FBI-ja pas kontrollit në shtëpinë e Presidentit Joe Biden në Dellauer, kontroll për të cilin ai kishte dhënë miratimin e tij.
Disa dokumenta janë të periudhës kur zoti Biden shërbente si senator. Mund të ketë qenë një gabim gjatë sistemimit të dokumentave, tha Senatori demokrat Chris Coons.
“Ndërsa merresh me çështje gjithnjë e më të rëndësishme, dhe ndonjëherë edhe të klasifikuara, volumi rritet. Kështu që mendoj se ishte e pashmangshme. Gjithashtu, nuk mendoj se është një çështje që i lë amerikanët pa gjumë”, tha ai.
Një anketim i ri i bërë nga kanali ABC dhe nga kompania Ipsos përpara se të publikoheshin gjetjet e reja nga kontrolli i FBI-së, tregon se 64% e amerikanëve mendojnë se Presidenti Biden veproi në mënyrë të papërshtatshme me dokumentat e klasifikuara. Gjithashtu, 77% e të anketuarve mendojnë se ishte edhe më serioze mënyra se si veproi ish-Presidenti Donald Trump me dokumentat e klasifikuara të mbajtura në shtëpinë e tij në Florida pas largimit nga detyra.
Të dy udhëheqësit po hetohen nga prokurorë të posaçëm të caktuar nga Departamenti i Drejtësisë.
Një ditë përpara kontrollit të FBI-së, Presidenti Biden përsëriti se po bashkëpunon plotësisht me autoritetet përkatëse.
“Mendoj se do të shihni se nuk ka gjë aty. Unë po ndjek udhëzimet e avokatëve”, tha Presidenti Biden.
Ligjvënësi republikan Michael McCaul i tha kanalit ABC se përmasat e pasojave politike do të varen nga disa faktorë.
“Watergate-i filloi si një vjedhje e vogël, që në vazhdim solli dorëheqjen e presidentit të Shteteve të Bashkuara. Pra, nuk e dimë se për çfarë bëhet fjalë përderisa nuk i kemi parë dokumentat, nëse ka dokumenta të sigurisë kombëtare që kanë të bëjnë me vende kundërshtare”, tha ai.
Se pse presidenti i tanishëm dhe ish-presidenti mbanin dokumenta që duhet t’i kishin dorëzuar në Arkivin Kombëtar, është një pikëpyetje për të cilën duhet të hulumtojnë prokurorët e pavarur. Senatori demokrat Joe Manchin foli për emisionin “Meet the Press” të kanalit NBC.
“A patën synime për të dëmtuar dikë; a synonin në thelb të bënin diçka të papërgjegjshme? Nuk mendoj se ndonjëri prej tyre veproi kështu, por rezultuan qartazi të papërgjegjshëm”, tha Senatori Manchin.
Ai theksoi se populli amerikan kërkon llogaridhënie dhe se duhet të kishte patur një sistem më të mirë balancash dhe kontrolli./Voa
Top Channel