26 vjeçari francez gjymtohet nga goditja me shkop në mes të këmbëve në protestën e reformës së pensioneve në Paris (foto-video)

23/01/2023 16:09

Një inxhinier francez ka humbur një testikul që iu operua nga doktorët pas goditjes së policit me shkop gome në organet private në protestën kundër reformës së pensioneve javës që shkoi në Paris.

Më shumë se 1 milionë njerëz marshuan të enjten në disa qytete të Francës kundër shtrëngimit të rregullave të pensioneve, teksa incidenti ndodhi megjithëse demonstrata e Parisit ishte tërësisht paqësore.

26-vjeçari i identifikuar në mediat vendase si Ivan S., po merrte pjesë në marshin, teksa në disa raste policia me veshje të rënda ndërhyri me dhunë ndaj protestuesve.

Ivan S. Raportohet se u rrëzua përtokë nga një oficer policie teksa bënte foto të një konfrontimi mes disa protestuesve dhe policëve. Një tjetër polic e sulmoi atë teksa ishte shtrirë përtokë duke e goditur në pjesën e poshtme të barkut.

Pamje të incidentit kanë qarkulluar në mediat franceze të cilat konfirmojnë versionin e tij të ngjarjes. Zemërimi mbi incidentin ka ardhur në rritje ndërsa polici i dhunshëm nuk është identifikuar dhe Ivan S. nuk është arrestuar.

Duke folur me të përditshmen vendase Liberation, e cila e identifikoi atë si Ivan S., inxhinieri  franko-spanjoll tha se kur mbërriti në spital organet gjenitale i ishin ënjtur dhe doktorët duhet të operonin.

Më shumë se 100 000 vetë marshuan në Paris kundër reformës së presidentit Macron për të ngritur moshën e pensionit nga 62 në 64 vjeç, ndërsa sindikata CGT tha se protestuesit ishin mbi 400,000.

Në zonën Bastille të Parisit, demonstruesit lëshuan shishe dhe fishekzjarrë ndaj policisë, teksa ata u përgjigjën me gaz lotsjellës dhe sulme ndaj protestuesve, thanë gazetarët në vendngjarje.

Pas protestave autoritetet thanë se janë të hapur për kompromis ndaj planeve të përçmuara por masat kryesore do të mbeten në fuqi.

Policia franceze është bërë objekt ankesash të shumta për dhunë të ekzagjeruar ndaj protestuesve.

Rrahja për vdekje në 2020 e një producenti muzikor me ngjyrë nga tre oficerë policie në studion e viktimës në Paris ka nisur një fushatë mosbesimi ndaj autoriteteve dhe krijimin e njësie të hetimit të abuzimeve të policisë.

FOTO GALERI
1/5
Një inxhinier francez ka humbur një testikul që iu operua nga doktorët pas goditjes së policit me shkop gome në organet private në protestën kundër reformës së pensioneve

Top Channel