“SPAk të hetojë 21 janarin”/ Reagimi i Spiropalit pas publikimit të audios së urdhrave të Ndrea Prendit

21/01/2023 14:40

Socialistët kërkuan që çështjen e 21 janarit ta hetojë dhe gjykojë drejtësia e re.

Kjo kërkesë e re erdhi pasi një ditë më parë u publikua një provë e re që implikon edhe më tej drejtuesit e gardës të Republikës. Prova është paraqitur në emisionin Zona Zero në Top News nga gazetari Artan Hoxha.

Prova është komunikimi në radio me vartësit të komandantit të gardës atë kohë Ndrea Prendi ku jepet urdhri për zjarr ndërsa protesta po përfundonte.

Pas publikimit reagoi kryeministri Edi Rama sipas të cilit kjo është e vërteta që dihet botërisht dhe një fakt i ri rrëqethës sapo  i dalë në dritë. 

Elisa Spiropali Ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin bëri këtë koment për këtë fakt të ri.

Socialistët edhe sot në të 12-tin, përvjetor të 21 janarit ngulmojnë se është konsumuar një vrasje shtetërore në bulevard.

Në këto 12 vite ajo çfarë nuk ka ndryshuar, është mosgjetja dhe mosndëshkimi i atyre që dhanë urdhër në përdorimin e armëve kundra protestuesve.

“E dinë të gjithë që në 21 janar nuk pati vdekje aksidentale, po vrasje shtetërore. Por publikimi dje i transkriptit të një audioje ku flitet për armë zjarri dhe gatishmëri për zjarr sapo protestuesit të kalojnë gardhin, ndërkohë që katër dëshmorët e asaj dite të zymtë u vranë shumë larg gardhit të Kryeministrisë, kërkon reagimin e menjëhershëm të organeve të drejtësisë. Ky është një fakt i ri që bërtet shumë fort për drejtësi në emër të viktimave, jetimëve, familjarëve dhe vetë demokracisë së përgjakur në 21 janar.

Nuk jam këtu për të bërë politikë sot, në ditën e homazheve që sot do të bëhen me një dritëz të re shprese se drejtësia e re do të hapë menjëherë hetimin e çështjes. Jam këtu për të thënë se ne nuk kemi hequr e nuk do të heqim dorë kurrë nga drejtësia për 21 janarin, por drejtësinë e kërkojmë nga drejtësia. Sot edhe më shumë sepse ato zëra nga shpella e vrasjeve të asaj dite tragjike, flasin vetë edhe më shumë se sa të gjitha fjalët tona”, tha Spiropali.

Top Channel