Mijëra vetë marrin pjesë në protestën e të djathtëve kundër qeverisë spanjolle

21/01/2023 20:35

Mijëra vetë u mblodhën të shtunën në qendër të Madridit për të protestuar kundër qeverisë socialiste duke e akuzuar atë për shkelje të kushtetutës. Protesta u mbështet nga partitë e djathta.

Protestuesit u mblodhën në sheshin Plaza de Cibeles përpara godinës së bashkisë, duke valëvitur flamuj spanjollë dhe duke i bërë thirrje Kryeministrit Pedro Sanchez të japë dorëheqjen.

Mbi 100 grupe të ndryshme – përfshirë Partia Popullore e opozitës konservatore, ajo e qendrës së djathtë Ciudadanos dhe ajo e së djathtës së largët Vox – e organizuan tubimin nën slloganin “Për Spanjën, për demokracinë dhe kushtetutën”.

Folësit e sulmuan qeverinë për një seri politikash dhe vendimesh, që nga lirimi i aktivistëve për pavarësinë e Katalonjës dhe deri tek marrëveshjet me partitë rajonale separatiste. Sipas vlerësimit të qeverisë lokale, në tubim morën pjesë rreth 30 mijë vetë.

Udhëheqësi i partisë Vox, Santiago Abascal, i vetmi drejtues partie që mori pjesë, i tha turmës se qeveria “kishte shkelur kushtetutën duke i mbyllur brenda spanjollët”, një referencë kjo ndaj masave izoluese për COVID-in.

Rreth 200 kilometra më larg në qytetin veriperëndimor Valladolid, Kryeministri Sanchez tha gjatë një tubimi socialist se protestuesit në Madrid kishin dalë në mbrojtje të një Spanje “uniforme” dhe rrjedhimisht “diskriminuese”.

Në qershor 2021, qeveria e Kryeministrit Sanchez fali “në frymën e dialogut” nëntë udhëheqësit e burgosur të përpjekjes së dështuar për pavarësinë e Katalonjës në vitin 2017. Vendimi i saj më i fundit për ta ndryshuar klasifikimin nga vepra penale e rebelimit në një shkelje më të lehtë, u kundërshtua nga e djathta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA