Kosova kujton sot në 17 vjetorin e vdekjes së tij njeriun e përshkruar rëndom si arkitektin e shtetit të pavarur të saj, ish presidentin Ibrahim Rugova.

Përpara varrit të tij, ku bëri homazhe së bashku me kryeministrin Albin Kurti dhe ambasadorin amerikan në Kosovë, presidentja aktuale Vjosa Osmani e përshkroi Rugovën si liderin  i cili i dha zë kërkesave të drejta të popullit të vet për mëvetësi.

“Sot në përvjetor të shkuarjes në amshim të atit themeltar të Republikës së Kosovës, presidentit historik Ibrahim Rugova e përkujtojmë më mall njeriun i cili i dha zë kërkesave të drejta të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi. Natyrisht që është pikërisht trashëgimia që ai la pas, që na shërben si dritë udhërrëfyese në përpjekjet tona të pa ndalura që ta forcojmë shtetin tonë, i cili u ndërtua me shumë mund dhe sakrificë të shumë burrave e grave të Republikës së Kosovës”, tha Osmani.

Kryeministri Kurti vlerësoi lart figurën e këtij udhëheqesi dhe intelektuali të shquar që mendoi e punoi për paqen.

“Vendosëm lule të freskëta të varri i presidentit Rugova. 21 janari është ditë e ftohtë dhe një ditë në të cilën teksa e përkujtojmë presidentin Ibrahim Rugova, e kujtojmë atë për qëndrimin intelektual, për sjelljen paqësore, për çështjen humaniste dhe ndërkombëtarizimin e rezistencës civile”, tha Kurti.

Rugova është parë si figurë e vendosmërisë, tolerancës dhe emancipimit politik të Kosovës, një politikan që siç thoshte gazetarja e njohur gjermane  Adelhajde Failke Timan, arriti dhe në vazhdën e trazirave të mëdha politike të ruante me këmbëngulje parimet e tij. Një lider mjaft rigoroz dhe nga të vetmit në Evropën Juglindore, i cili praktikisht i ruajti me besnikëri parimet e tij edhe në periudhëm mjaft të tensionuar të paraluftës, por edhe në të gjithë procesin e paqes. Dhe në shumë pika, vazhdonte ajo, historia i dha të drejtë.

 

 

Top Channel