Pesë persona janë arrestuar dhe katër të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi dyshohet se janë përfshirë në atentatin e mirëorganizuar ndaj prokurorit Arjan Ndoji në 1 në nëntor të vitit 2019.
Kur kanë kaluar më shumë se tre vite nga atentati ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj dhe një personazhi të njohur të botës së krimit si Rrumi i Shijakut, ku të 2 mbetën të plagosur ndërsa shoferi Andi Maloku humbi jetën, SPAK dhe policia në bazë të dëshmive dhe përgjimeve të personave të implikuar në këtë vrasje arriti të zbardhë ngjarjen duke identifikuar porositësit, ekzekutorët dhe bashkëpunëtorët. Në një operacion të shtrirë në Fushë Krujë, Durrës dhe tiranë u vunë në pranga 5 persona dhe u shpallën në kërkim 4 të tjerë.
Autoritetet identifikuan se kush e donte të vdekur Aleksandër Lahon i njohur si Rrumi i Shijakut por nuk mundën dot ta vënë në pranga sepse prej kohësh ndodhet në Dubai pavarësisht se ndaj tij ka një urdhër arresti tjetër për një vepër të rëndë penale. Mes të shpallurve në kërkim është dhe Ramazan Rraja, i cili dyshohet se siguroi kushtet për kryerjen e atentatit. Në pranga ka rënë Bashkim Haxhia, i cili i ka shpëtuar një atentati në qershor 2019. Po ashtu në pranga ka rënë dhe agjenti doganor Marsel Decka i afërm i një anëtari të bandës së Durrësit, Genti Ndërjaku i cili i shpëtoi një atentati me snajper në shtator të 2022 në Durrës dhe Julian Pjetri.
Policia sekuestroi një armë zjarri, rreth 40 milionë lekë të vjetra she 50 kontrata shit-blerjeje pronash, dokumente që do të verifikohen.
Për atentatin gjykata ka marrë të pandehur më herët Redjan Rraja dhe Ariol Halilaj.
Hetuesit besojnë se arrestimi i personave të tjerë të përfshirë në atentatin ndaj prokurorit do të hedhë dritë mbi ngjarje të tjera të ndodhura para dhe pas atentatit mes 2 grupeve kriminale.
Si ndodhi atentati ndaj prokurorit Ndoji?
Pasditen e një nëntorit 2019, një breshëri plumbash u derdh mbi makinën që drejtohej nga Andi Maloku dhe ku pasagjerë ishin prokurori i Durrësit Arjan Ndoji dhe Landi Muharremi, person me precedent të theksuar kriminal. Shoferi Andi Maloku nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra.
Ngjarja ndodhi në afërsi të mbikalimit të Shkozetit dhe dëshmitarë u bënë disa kalimtarë që i erdhën në ndihmë të plagosurve.
Top Channel