Veliaj merr titullin “Qytetar Nderi” i Preshevës: E pranoj me shumë përulësi këtë nderim të madh! Tirana do të financojë rikonstruksionin e shkollës ‘Dituria’

20/01/2023 14:35

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u nderuar sot me titullin “Qytetar Nderi” nga qyteti i Preshevës. Titulli iu dha nga kryetari i Këshillit Komunal të Komunës së Preshevës, Sami Salihu, në seancën solemne të mbajtur në Kuvendin Komunal.

“E pranoj me shumë përulësi këtë nderim të madh! Nga nesër do të zgjohem çdo ditë duke thënë jo vetëm çfarë do të bëj për Tiranën, ku jam zgjedhur të drejtoj, por se çfarë do të bëj edhe për Preshevën, qytetin që më ka nderuar si qytetarin më të ri të saj. Ju falenderoj nga zemra! E vlerësoj jashtë mase. Më keni prekur shumë! Ju dua shumë dhe do të vazhdoj të jem miku juaj, mbështetësi juaj dhe të ruaj një dashuri të madhe për Preshevën”, u shpreh Veliaj.

Ai tha se Bashkia e Tiranës ka marrë një angazhim konkret për të kontribuuar në arsimimin e fëmijëve në Luginën e Preshevës.

“Ne do të financojmë shkollën ‘Dituria’, sepse është një kërkesë për arsim, për dije, në një shkollë shqipe që është themeluar në 1920-ën, pikërisht në vitin kur Tirana u shpall Kryeqytet. Ndaj, do të ishte nder për Këshillin tonë Bashkiak që, këtë kërkesë të kryetarit të Komunës së Preshevës, ta miratojmë dhe të sigurohemi që shkolla ‘Dituria’ të rikonstruktohet dhe të kthehet në një bazë të dijes”, theksoi Veliaj.

Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, u shpreh se është nder për qytetin që t’i japë titullin “Qytetar Nderi” kryebashkiakut të Tiranës. “Erioni përfaqëson një model të ri të ideve të udhëheqjes dhe të lidershipit, që është një shembull për të gjithë të rinjtë kudo ku ata janë, veçanërisht në komunën e Preshevës. Qytetarët e Luginës së Preshevës të nderojnë ty sot, Erion, nderojnë Bashkinë e Tiranës, e nderojnë shtetin shqiptar dhe e bëjnë me respekt të plotë, me nder të madh, por ama edhe me shumë dashuri,” u shpreh Arifi.

Ai kujtoi edhe kontributin e veçantë të kryebashkiakut Veliaj dhe Bashkisë së Tiranës për qytetarët e Preshevës. “Para një viti arriti të unifikojë politikën shqiptare në Kuvendin e Preshevës, sepse nuk ndodh shpesh të jemi të unifikuar, në vendimin për ta shpallur Erionin Qytetar Nderi. Përveç kësaj, para dy vitesh, kur qytetarët tanë u përmbytën si tani në rrafshin e Dukagjinit, Erioni, Bashkia e Tiranës, ka qenë pranë nesh me një fondacion, që e ka zbutur skajshmërisht situatën e qytetarëve, si shenjë dashurie nga Tirana për shqiptarët në Komunën e Preshevës,” vlerësoi kryetari i kësaj komune.

Kryebashkiaku Erion Veliaj po zhvillon një vizitë zyrtare në Komunën e Preshevës dhe Bujanocit. Në nisje të kësaj vizitë, Veliaj u prit në një takim nga kryetari i Komunës, Shqiprim Arifi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA