Mushkëritë luajnë një rol kyç në rregullimin e funksioneve të organeve të tjera në trupin e njeriut.

Ato janë në punë çdo sekondë të ditës që njeriu merr frymë, ndaj rëndësia e shëndetit të tyre nuk mund të nënvizohet mjaftueshëm.

Kur merrni frymë, mushkëritë marrin oksigjenin dhe e transferojnë atë në rrjedhën e gjakut, nga ku mundësohet furnizimi i të gjitha organeve dhe qelizave.

Kur nxirrni frymën, mushkëritë nxjerrin dyoksidin e karbonit.

Mushkëritë e njeriut janë gjithë kohës të shënjestruara nga pluhurat, ndotja, duhani e një sërë substancash që tashmë janë bërë pjesë e jetës.

Sëmundjet kronike të rrugëve të frymëmarrjes dhe të mushkërive janë në rritje.

Disa prej tyre janë azma, bronshiti, tuberkulozi, tumori e të tjerë.

Duhanpirësit janë më shumë të rrezikuar nga sëmundjet e mushkërisë.

Ruajtja e shëndetit të mushkërive është thelbësore dhe është një proces që nis duke qenë të mirëinformuar për simptomat e problemeve me mushkëritë.

Simptomat e Problemeve Me Mushkëritë
Kollë e Vazhdueshme
Kolla ndihmon në pastrimin e rrugëve të frymëmrrjes, por kur ajo bëhet kronike, tregon që mushkëritë kanë nevojë për ndihmë.

Kur mushkëritë janë në vështirësi, kolla shoqërohet me dhimbje kraharori që shtrihet në pjesën e shpatullës.

Vështirësi Në Frymëmarrje
Nëse hasni vështirësi të merrni frymë atëherë kjo do të thotë që mushkëritë nuk kanë fuqi të bëjnë punën e tyre.

Kjo gjithashtu tregon se rrugët e frymëmarrjes janë të bllokuara.

Sekrecionet
Në shumicën e rasteve, kolla shoqërohet me sekrecione.

Këto të fundit mbajnë bakteret, pluhurin dhe polenin të bllokuara dhe pengojnë rrugëtimin e tyre drejt mushkërive.

Por nëse keni shumë sekrecione që nuk vijnë si pasojë e të ftohurës apo gripit, atëherë kjo nuk është një shenjë e mirë.

Për më tepër, ju mund të vini re ndryshime në ngjyrën, aromën, sasinë dhe trashësinë e sekrecioneve.

Nëse ato kanë ngjyrë të verdhë, jeshile ose kanë njolla gjaku, atëherë ka diçka që nuk shkon me mushkëritë.

AgroWeb.org ju rekomandon një vizitë te mjeku juaj nëse vini re simptomat e mësipërme.

Enjtje Të Gjymtyrëve Të Poshtme
Tingëllon e çuditshme por enjtja dhe dhimbjet e këmbëve janë tregues të një problemi me mushkëritë.

Kur këto të fundit nuk funksionojnë mirë, organizmi nuk merr mjaftueshëm oksigjen, gjë që shkakton enjtje të kyçeve dhe këmbëve.

Dhimbje Koke Në Mëngjes
Nëse zgjoheni me dhimbje koke ose marramendje, konsultohuni me një mjek.

Këto dhimbje dalin në pah si pasojë e vështirësisë në frymëmarrje gjatë natës dhe akumulimit të dioksidit të karbonit në enët e gjakut.

Lodhje
Nëse ndiheni të lodhur vazhdimisht edhe pse flini mjaftueshëm, atëherë ka një problem me mushkëritë.

Gjithçka ka të bëjë me mungesën e oksigjenit në organizëm që shteron energjitë.

Probleme Me Gjumin
Qëndrimi ose fjetja përmbys, e bën punën e mushkërive të vështirë dhe ndikon në cilësinë e gjumit.

Prishja e gjumit ka ndikim të fortë në mirëqenien e organizmit.

Si Të Përmirësoni Shëndetin e Mushkërive
Hiqni dorë nga duhani nëse e pini.

Qëndroni larg zonave të ndotura ose mbani maska nëse punoni në zona të tilla.

Merrni frymë thellë çdo ditë në ambiente të pastra.

Ushqehuni shëndetshëm.

Mos përdorni solucione pastruese kimike me aromë të fortë.

Merrni bimë pastruese për ajrin në shtëpi

Kryeni aktivitet fizik./AgroWeb.org

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA