Dimri tani po troket me forcën e tij të vërtetë në Italinë fqinjë, ku metereologët parashikojnë 10 ditë të acarta me borë e erëra të dhunshme.
“Nga nesër, temperaturat ulen ndjeshëm”, shkruajnë mediat vendase.
Zona të tëra të Genovës e Ligurias ishin zbardhur këtë mëngjës nga bora, shtresa e së cilës, në rajonet e thella veriore ka mbërritur në 50 centimetra. Autoritetet vendore kanë nisur punën për pastrimin e rrugëve dhe hedhjen e kripës për të parandaluar që ato të vishen në akull, duke u kthyer në burim aksidentesh të rënda.
Termometri do të bjerë ndjeshëm edhe në Sardenjë, ku nuk përjashtohet as mundësia e reshjeve të dëborës.
Sinoptikani Andrea Garbinato, thotë se ajri i ftohtë fillimisht nga Atlantiku Verior dhe më pas nga Ballkani, që bie në kontakt me ujërat ende relativisht të ngrohta të Mesdheut, do të shkaktojë evente ciklonike.
Në orët në vijim priten shumë borë në fushat mes Basso Venetos, Toskanës dhe Emilias, ku parashikohen reshjet më intensive.
Sipas ekspertit, këto situata do të vazhdojë për disa ditë me radhë, pasi i ftohti dhe ngricat do të godasin disa herë rresht pjesën më të madhe të vendit deri në fund të muajit. Rënia e temperaturave, nga sa pohon do të jetë e menjëhershme me 7 apo 8 gradë Celsius, ndërsa erërat mund të mbërrijnë shpejtësinë 120 km në orë, e do të vijnë edhe në formë stuhie.
Top Channel