Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet intensive, ka vizituar komunën e Klinës, Skënderaj dhe Mitrovicë.

Në takim me kryetarët Zenun Elezaj, Fadil Nura dhe Bedri Hamza, Osmani ka theksuar se ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me institucionet e sigurisë dhe  ka vlerësuar angazhimin e strukturave komunale dhe institucioneve emergjente për të ndihmuar qytetarët.

Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet qendrore do të angazhohen maksimalisht për t’i mbështetur komunat e prekura nga vërshimet.

Ajo ka kërkuar nga strukturat e sigurisë dhe të emergjencave, të angazhohen maksimalisht për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe për të zvogëluar pasojat e krijuara nga kjo situatë e jashtëzakonshme.

“Falënderoj Forcën Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, Zjarrfikësit, autoritetet komunale dhe të gjithë ata, të cilët ndodhen në terren në zonat më të rrezikuara, në gatishmëri të plotë për t`u ofruar ndihmë qytetarëve dhe për ta mbrojtur secilën jetë”, është shprehur presidentja Osmani.

Sipas një komunikate të Presidencës, Osmani në të tri komunat ka ofruar mbështetjen institucionale dhe ka theksuar se jeta, shëndeti dhe pronat e qytetarëve, janë prioritet absolut, ndaj nevojitet angazhim dhe solidaritet i të gjithëve në një situatë të tillë.

Top Channel