Gjatë një sesioni në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka deklaruar se ai ende beson që është e mundur të zgjidhen mosmarrëveshjet e vendit të tij me Turqinë dhe thekson se dy fqinjët nuk do të luftojnë me njëri-tjetrin.
“Ne nuk do të hyjmë në luftë me Turqinë. Ne duhet të jemi në gjendje të ulemi me Turqinë si të rritur të arsyeshëm dhe të zgjidhim dallimin tonë kryesor, që është përcaktimi i zonave detare në Egje dhe në Mesdheun Lindor. Është një çështje e ndërlikuar për shkak të gjeografisë së Egjeut, por ne kemi qenë në gjendje të zgjidhim probleme të ngjashme me fqinjët tanë”, tha Kyriakos Mitsotakis, kryeministër i Greqisë.
Duke ju përgjigjur pretendimeve të Ankarasë se prania ushtarake në ishujt grekë të Egjeut është një kërcënim i drejtpërdrejtë dhe i ndaluar nga traktatet ndërkombëtare, kreu i qeverisë greke ka theksuar se është Turqia ajo që ka një prani të konsiderueshme trupash ushtarake në kontinentin turk përballë ishujve grekë.
“Dhe unë pyes, a beson dikush në mënyrë të arsyeshme se ishujt grekë janë një kërcënim për kontinentin turk, apo është më realiste të besohet se kontinenti turk është një kërcënim për ishujt grekë, veçanërisht duke pasur parasysh historinë e Qipros. Në vitin 1974, ne patëm një pushtim dhe siç e dini, një e treta e ishullit është ende e pushtuar“, u shpreh Kyriakos Mitsotakis, kryeministër i Greqisë.
Marrëdhëniet midis dy aleatëve të NATO-s dhe njëkohësisht rivalëve historikë rajonalë kanë qenë veçanërisht të tensionuara për gati tre vjet, me presidentin Erdogan të arrijë të përsërisë shumë herë gjatë muajve të fundit se trupat turke mund të zbarkojnë papritur një natë në Greqi ,madje duke kërcënuar se do të godasë Athinën me raketa balistike.
Tensionet vazhdojnë edhe orët e fundit kur Turqia kërkon nga SHBA blerjen e avionëve të rinj F16 si kundërpeshë për blerjen nga ana e Greqisë të avionëve amerikanë F35 dhe atyre francezë Rafale, ndërsa Athina lobon fuqishëm në Uashington kundër Ankarasë.
Gjithsesi në një moment kur Greqia e Turkia shkojnë drejt zgjedhjeve parlamentare Mitsotakis nuk e konsideron të pamundur gjetjen e një zgjidhjeje me presidentin Erdogan duke theksuar se ka mënyra për të ulur tensionin dhe për të punuar në çështje me interes të përbashkët.
Top Channel